Instituti nga Shkupi me konkurs për magjistraturë, të drejtë aplikimi edhe nga Lugina
Është kjo një mundësi e mirë për të gjithë studiuesit e interesuar të albanologjisë e historisë, jo vetëm se nga Republika e Maqedonisë, por edhe ato nga Republika e Kosovës dhe Lugina e Preshevës, të cilët dëshirojnë të thellojnë njohuritë dhe hulumtimet e tyre shkencore në këto sfera.Këto ditë Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH), hapi konkursin për regjistrimin e studentëve në studimet e magjistraturës në tre drejtime studimore: Gjuhë shqipe, Letërsi shqipe dhe Histori me marrëdhënie ndërkombëtare. Në secilin nga këto drejtime, parashihet të pranohen nga 30 studentë
“Është ky një hap përpara në konsolidimin e mirëfilltë të ITSHKSH-së në Shkup, dhe një hapje e mundësive të reja për thellimin e studimeve albanologjike në trojet shqiptare të Maqedonisë. Kushtet e regjistrimit dhe studimeve, janë model në rajon, dhe ato do të zhvillohen me metodat dhe teknikat më të reja të shkencës bashkëkohore”, theksojnë përgjegjësit e këtij Instituti.
Sipas tyre, është kjo një mundësi e mirë për të gjithë studiuesit e interesuar të albanologjisë e historisë, jo vetëm se nga Republika e Maqedonisë, por edhe ato nga Republika e Kosovës dhe Lugina e Preshevës, të cilët dëshirojnë të thellojnë njohuritë dhe hulumtimet e tyre në këto sfera.
Kuadri shkencor që do të ligjërojë në këto studime të ciklit të dytë, është i kualifikuar, dhe përpos punëtorëve të brendshëm shkencor, ITSHKSH do të angazhojë kuadro të specializuar edhe nga universitetet dhe institutet tjera shqiptare në vend e rajon. Parashihet që leksione të veçanta të mbajnë edhe profesorë të njohur nga Evropa dhe SHBA-të.
Regjistrimi i studentëve të interesuar do të zgjasë deri më 15.02.2015, në lokalet e ITSHKSH-së, të cilat gjenden në objektin e ish-ambasadës amerikane në Shkup, kurse të gjitha informatat e nevojshme mund të merren edhe përmes ueb faqes zyrtare të institutit www.itsh.edu.mk. /Titulli.com/