Halimi: PDSH po i dëmton votuesit shqiptarë të Luginës për zgjedhjet parlamentare
Lokale

Halimi: PDSH po i dëmton votuesit shqiptarë të Luginës për zgjedhjet parlamentare

19.Apr.2016 18:51
0
Partia për Veprim Demokratik në Preshevë përmes një deklarate me shkrim ka reaguar ndaj qeverisjes lokale në Preshevë dhe Bujanoc që po manipulojnë me listat e zgjedhësve.

“Udhëheqjet e pushteteve lokale në Preshevë dhe Bujanoc me logjikën e tyre bojkotuese ndaj zgjedhjeve parlamentare dhe me servilizmin ndaj qeverisë serbe, do t’i dëmtojnë edhe kësaj rradhe votuesit Shqiptarë duke bërë manipulime dhe shtrembërime në listat zgjedhore, ku emrat e Shqiptarëve vazhdojnë të jenë të deformuar, që do ta vështirësoj në masë të madhe procesin zgjedhor më 24 prill”, thuhet mes tjerash në deklaratën e lëshuar nga kryetari i PVD-së, Riza Halimi.

 

Për më tepër lexoni deklaratën e plotë të PVD-së: 

Një kohë të gjatë kryesia e PDSH-së po e shkatërron komunën e Preshevës me politikat e saja shkurtëpamëse të bojkotit.

Është e njohur se Shqiptarët e humbën mbi 10 vite për ta formuar Këshillin Nacional të Shqiptarëve vetëm për shkak të manipulimeve të PDSH dhe satelitëve të saj me retorikë folkloriste.

Edhe kësaj radhe PDSH po e vazhdon avazin bajat të bojkotit të zgjedhjeve parlamentare, edhe pse po del krejtësisht i qartë bashkëpunimi shumë i ngushtë me qeverinë serbe, kryetarit të së cilës iu nda mirënjohje.

Në të njëjtën kohë kryetari i komunës së Preshevës, së bashku me homologun e tij të Bujanocit, janë nënkryetar të Trupit Koordinues që është organ i qeverisë serbe.

Andaj shtrohet pyetja esenciale, pse PDSH në njërën anë po i bojkoton zgjedhjet parlamentare e në anën tjetër aq ngusht po bashkëpunon me qeverinë serbe që është rezultat i zgjedhjeve parlamentare?

Përgjigja është shumë e thjesht, PDSH si parti vetëm e një komune nuk ka mundësi të jetë relevante në zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në parlamentin qendrorë. Në anën tjetër me deklarata të patriotizmit të rrejshëm po mundohet të fitoj poena të lirë politik që i shërbejnë vazhdimit të monopolit në pushtetin lokal të Preshevës.

Është shumë e qartë se kësaj udhëheqje shkatërruese nuk i duhen deputetë Shqiptarë. Për ta vazhduar monopolin shkatërrues, ku dominon familjarizmi dhe korrupsioni, kryetarit të PDSH – së i mjafton politika poltroniste dhe servile ndaj kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të Trupit Koordinues, prej të cilëve fiton në formë lëmoshe, vetëm projekte me të cilat ngopen sponzoruesit e tij, ndërsa komuna e Preshevës po fundoset në varfëri ekstreme.

Pra bojkoti i PDSH – së i zgjedhjeve parlamentare nuk është i bazuar në argumente politike. Madje i vetmi argument i PDSH – së që lidhet me bojkotin e zgjedhjeve parlamentare ka të bëjë me manipulimin dhe kontrabandën që po përgatitet për falsifikimin e zgjedhjeve të 24 prillit. Përkatësisht, bojkotuesit e zgjedhjeve parlamentare, në fakt militantët e PDSH – së për “çudi” tanimë janë bërë pjesë e përbërjes së rregullt të këshillave votuese nën firmën e partive parlamentare serbe.

Udhëheqjet e pushteteve lokale në Preshevë dhe Bujanoc me logjikën e tyre bojkotuese ndaj zgjedhjeve parlamentare dhe me servilizmin ndaj qeverisë serbe, do t’i dëmtojnë edhe kësaj rradhe votuesit Shqiptarë duke bërë manipulime dhe shtrembërime në listat zgjedhore, ku emrat e Shqiptarëve vazhdojnë të jenë të deformuar, që do ta vështirësoj në masë të madhe procesin zgjedhor më 24 prill.

Këto akrobacione manipuluese paralajmërojnë rrezikun nga organizime mafioze të atyre që do të tentojnë me çdo kusht ta ruajnë monopolin ekzistues në shfrytëzimin e paskrupullt në plaçkitjen e buxhetit dhe pasurive të përgjithshme të komunës së Preshevës.

Andaj është e domosdoshme që subjektet politike opozitare, në vend të akuzave shterpe të ndërsjella të koordinojnë maksimalisht aktivitetet në ruajtjen e votës së lirë, përkatësisht në sigurimin e kushteve për proces normal zgjedhor.

Partia për Veprim Demokratik- Riza HALIMI, kryetar

 

Të lajmërohen qytetarët që u janë konfiskuar revolet personale dhe armët e gjuetisë gjatë vitit 1999, mundësi e heqjes së tatimit
KKSH letër për ndryshimin e emërtimit të shkollës fillore në Bilaç nga "Desanka Maksimoviq" në emrin "Xhevat Ajvazi"
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration