Gjendje e rëndë, në Preshevë 970 familje me ndihma sociale (Foto & Video)
Gjendja e rëndë ekonomike, shkalla e lartë e papunësisë, mbyllja e fabrikave dhe dështimi i privatizimit, në komunën e Preshevës, përveç shumë pasojave tjera, ka sjell edhe rritjen e rasteve sociale.Sipas drejtorit të Qendrës për punë sociale në Preshevë, Nazmi Jasharit, 970 familje, apo rreth pesë mijë persona të komunës së Preshevës jetojnë nga ndihmat sociale.
“Për fat të keq, gjendja momentale materiale e popullatës sonë është shumë e vështirësuar dhe për çdo ditë vështirësohet më tepër. Për momentin shfrytëzues të ndihmës materiale i kemi 970 familje, mesatarja e familjes merret 4 apo 5 anëtarë, që do të thotë se afër 5000 individë janë në mënyrë direkte shfrytëzues të ndihmës materiale”, shprehet drejtori Jashari për portalin informativ Titulli.com.
Për t’u njoftuar me kushtet në të cilat jetojnë këto familje, me problemet më të cilët po ballafaqohen dhe kërkesat e tyre, ne vizituam disa prej tyre.
Familja e Fejzullah Mehmetit nga Presheva jeton në varfëri të skajshme. Kjo familje nëntë anëtarëshe jetojnë në një shtëpi të vjetër me vetëm dy dhoma, në kushte të vështira, pa ujë brenda. Kryefamiljari Fejzullahu është i sëmurë nga zemra dhe nuk mund të punojë e të mbajë familjen, ndërsa bashkëshortja e tij Hanumshahe vuan nga sëmundja e epilepsisë.
“Unë dhe familja ime nëntë anëtarëshe jetojmë me ndihma sociale. I kemi shtatë fëmijë, gjashtë i kam në shkollë, njërin në foshnjore. Në muaj marrim 18 mijë e 500 dinarë ndihma sociale, por me këtë mezi ia dalim dy javë . Vetëm barna mua dhe bashkëshortes na nevojiten rreth 60 euro në muaj. Unë jam i sëmurë prej zemrës, ndërsa bashkëshortja vuan nga epilepsia. Asaj duhet gjithnjë t’i qëndrojmë pranë sepse bie, sidomos në kohë të nxehtë dhe kur nervozohet”, thotë Fejzullah Mehmeti për portalin Titulli.com.
Ata provuan të dalin nga kjo gjendje krize me shkuarjen në Belgjikë, por pas shtatë muajve autoritetet belge i kanë kthyer mbrapa. Tani jetojnë nga ndihmat sociale, nga ndihmat e organizatave të ndryshme dhe shoqërisë.
“Na kanë ndihmuar disa shoqata, shokët, fqinjët, dashamirë nga fshatrat e Preshevës dhe Bujanocit të cilët i falënderoj shumë. Jetojmë në një dhomë, në dhomën tjetër i kemi rrobet. Por çfarë të bëjmë, po duhet të jetojmë kështu”, thotë Mehmeti, duke kërkuar ndihmë nga ata që kanë mundësi.
“Kërkesa ime është kush ka mundësi të na ndihmojë. Unë i kam 55 vjet, më herët kam punuar duke prerë dhe shitur drunjë, por nuk po mundëm më. Mjekët më thonë të përdori barna, por ato gjitha po kushtojnë, asnjë nuk është pa para. Gjithashtu edhe barnat e bashkëshortes, bile ato janë edhe më të shtrenjta”, përfundon Fejzullah Mehmeti.
Edhe Qazim Ajdini me familjen nga fshati Shoshajë e Poshtme jeton në kushte të vështira për jetesë. Qazimi, ish pjesëtar i UÇPMB-së, ka tre fëmijë dhe bashkëshorten. Edhe ai është i sëmurë, nuk mund të punojë, dhe jetojnë me ndihma sociale.
“Unë jetoj si është më keq. Kam familjen pesë anëtarëshe, jam i sëmurë, bashkëshorten e shurdhër, fëmijët të vegjël. Më herët kam punuar në ndërtimtari, e në bujqësi si punëtor krahu, por nuk po mundem më. Marrim ndihma sociale, por edhe ato si duket do t’mi ndërprejnë sepse për shkak të sëmundjes nuk kam mundur të paraqitem në Ent për punësim”, shprehet kryefamiljari Qazimi.
Shtëpia e Qazim Ajdinit nga jashtë nuk duket keq, pasi është e ndërtuar në vitin 2003. Por, brenda tavani gati i ka rënë, pikon kur ka të reshura, ndërsa muret janë të mykur nga lagështia.
“Shtëpinë e kam prej vitit 2003. Ma kanë ndërtuar një organizatë e Belgjikës së bashku me komunën. I falënderoj për këtë sepse nuk më lanë në shtëpinë e vjetër të rrëzohet e t’mi zë fëmijët. Nëse ka mundësi të më ndihmoj dikush për hatër të fëmijëve, sepse janë prej 15 vjet e më poshtë. Një organizatë e Preshevës më ndihmon me miell, me gjëra ushqimore elementare, e rroba”, thotë në bisedën për Titullin, Qazim Ajdini.
Ai ankohet edhe për shërbimet mjekësore në komunë të Preshevës, por edhe për punën e politikanëve, respektivisht të udhëheqësve.
“Ne kemi dal në mal diçka të kemi. Të kanë diçka fëmijët tanë. Unë kam dal për këtë vend, jo për kryetarin e për këta. Po për neve nuk po i intereson as kryetarit, as nënkryetarit, as deputetit. Faleminderit prej shokëve që po më ndihmojnë, se për shtetin, për komunën ne nuk ekzistojmë. Unë të pasurohen e fëmiu i tjëtër kujt të dal pa rroba e pa këpucë, nuk është e drejtë kjo”, shton i mllefosur dhe i mërzitur nga kushtet e vështira, Qazim Ajdini nga Shoshaja e Poshtme.
Përveç familjeve që jetojnë në varfëri, me ndihma sociale, Qendra për punë sociale merret edhe me një kategori tjetër të njerëzve, e ata janë personat me invaliditet, që kanë nevojë për përkujdesje nga personi tjetër.
“Kategoria tjetër më të cilët punojmë në Qendrën Sociale është kujdesi nga personi tjetër. Këtu bëhet fjala për personat që janë të pa aftë, të hendikepuar e të sëmurë nga sëmundje të ndryshme. Tek në bëhet grumbullimi i dokumentacionit të palëve, kompletimi i dokumentacionit dhe detyra jonë është që të dërgohet në komision. Vendimin përfundimtar e sjell komisioni”, thotë drejtori i Qendrës për punë sociale në Preshevë, Nazmi Jashari.
“Këtu vlen të përmendet se ka mangësi, ka të meta, ka ankesa shumë të mëdha nga palët për shkak se komisioni i mjekëve është tepër rigoroz. Prandaj kemi probleme, kemi shumë ankesa nga palët, por ne nuk jemi ata të cilët mund të ndikojmë ose të ndihmojmë në realiziimin e kësaj të drejte, por është e drejtë ekskluzive e komisionit të mjekëve”, shton ai.
Lidhur me këtë, ne vizituam një familje, e cila jeton në kushtë të vështira jetese, por së paku e kanë të rregulluar çështjen e përkujdesjes nga personi tjetër.
Begzad Haliti, është 77 vjeçar, dhe jeton me familjen e tij gjashtë anëtarëshe në fshatin Shoshajë e Epërme të komunës së Preshevës. Haliti merr një pension të vogël por jeton në kushte të vështira materiale, pasi i duhet të kujdeset për dy fëmijët bonjak që i ka lënë djali, i cili i ka vdekur para katër muajve, por edhe për djalin tjetër Jetonin, 32 vjeçar, i cili nuk është i aftë të punojë, pasi ka çrregullime mentale, e një sulm i para pesë viteve i ka ndalur edhe të folurit.
“Sa për të ngrënë e për të pirë po jetojmë. Jemi gjashtë anëtarë, një djalë më ka vdekur para katër muajve dhe i ka lënë dy fëmijë jetim, një djalë dhe një vajzë. Djali tjetër Jetoni i ka 32 vite, më herët së paku ka folur, por para pesë viteve pati një sulm dhe prej asaj kohe as nuk flet”, shprehet plaku Begzad Haliti për Titullin.
Begzad Haliti ka qenë kryetar i Bashkësisë Lokale për 32 vjet për katër fshatra Shoshajë e Epërme, Bukoc, Gare, Gosponicë. Për shkak të moshës, ai thotë, se nuk mund më të punojë bujqësi e as të mbajë kafshë.
Sa i përket Jetonit, ai ka të rregulluar çështjen si person që ka nevojë për përkujdesje dhe merr 26 mijë dinarë në muaj. Ndërsa fëmijët jetim, përveç shtesave fëmijërore, ndihmohen edhe nga organizata QSA nga Presheva në kuadër të projektit “Streha e jetimëve”.
“Mjaftë vështirë, por po na ndihmojnë fshati, po na ndihmojnë njerëz të kësaj ane që vijnë na ndihmojnë e as emrin nuk e tregojnë, por edhe disa organizata që spo ja di emrin”, thotë Haliti, duke shtuar se edhe shtëpinë në të cilën jetojnë nuk e ka ndërtuar i vetëm.
“Edhe shtëpinë ku jetoj nuk e kam ndërtuar vetë. Këtë ma kanë ndërtuar në kohën e UÇPMB-së në vitin 2001”, shprehet Haliti.
Përveç këtyre kategorive, Qendra për punë sociale në Preshevë merret edhe me trajtimin e rasteve të fëmijëve të braktisur, që sipas drejtorit të këtij institucioni, nuk janë raste të shpeshta.
Gjithashtu kjo qendër merret edhe me familjet që dëshirojnë të adoptojnë fëmijë. Këtë vit me ndhmën e kësaj qendre dy familje kanë gjetur fëmijë për adoptim,
Edhe puna e Qendrës për punë sociale në Preshevë financohet nga ministria përkatëse, ndërsa nga buxheti i komunës ndahen mjete për ndihma momentale dhe për shpenzime materiale./Titulli.com/