Gazeta zvicerane NZZ: Zvicra po organizon takime sekrete mes Kosovës dhe Serbisë
Gazeta NZZ, në artikull të saj që botohet nesër në botimin e të dieles (NZZ am Sonntag) jep informacione interesante mbi rolin ndërmjetësues që, sipas saj, Ministria e Jashtme e Zvicrës (EDA) po ushtron në pajtimin e palëve në konflikt, Kosovës dhe Serbisë, transmeton albinfo.ch.
“Trupat serbe ndodhen në kufirin Serbo-Kosovar, bllokada rrugësh, shkolla të mbyllura: në veri të Kosovës është gjendje e jashtëzakonshme. Gjithçka filloi kur të gjithë përfaqësuesit e minoritetit serb dhanë dorëheqje nga shërbimi civil kosovar më 5 nëntor. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tani po kërcënon hapur se do të pushtojë Kosovën.
Hulumtimi i “NZZ am Sonntag” tani tregon se në prapaskenë, Zvicra po ndërmjetëson në mënyrë diskrete mes Serbisë dhe Kosovës dhe po përpiqet të parandalojë që konflikti të përshkallëzohet më tej. Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (Ministria e Jashtme, shkurtimisht: EDA) ka pritur përfaqësuesit e të dy vendeve në Zvicër në mes të nëntorit. “Një takim i tillë ka ndodhur një javë pasi serbët ishin tërhequr nga institucionet e Kosovës”, konfirmon zëdhënësja e EDA, Elisa Raggi, transmeton albinfo.ch. Për arsye konfidencialiteti, EDA nuk pranon të thotë saktësisht se ku janë zhvilluar bisedimet.
Ky shkëmbim larg publikut është i rëndësishëm në mënyrë që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të shkëmbejnë rregullisht mendime për çështjet politike dhe të krijojnë besim. “Kjo mundëson kontakte të drejtpërdrejta diskrete, si, fjala vjen, për të parandaluar shpërthimin e dhunës”, shkruan tutje EDA. Për më tepër, në këtë mënyrë mund të testohen ide, të cilat më pas do të kalojnë në negociatat zyrtare.
Franz Grüter është gjithashtu i shqetësuar për situatën e pasigurt në Ballkanin Perëndimor. Deputeti Nacional nga SVP është kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës. Ai do të udhëtojë në Kosovë për dy ditë të hënën për të marrë një pasqyrë të drejtpërdrejtë të gjendjes, albinfo.ch. “Më pas do t’ia sjell përshtypjet e mia ministrit të Jashtëm Ignazio Cassis,” thotë Grüter. Udhëtimi është planifikuar përpara se të shpërthenin tensionet e fundit. Tani vizita merr një eksplozivitet të veçantë.
Grüter do të takohet me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Përveç kësaj, ai është pjesë e delegacionit të shefit të ushtrisë zvicerane, Thomas Süssli, i cili si çdo vit para Krishtlindjeve viziton trupat e Swisscoy-t, të stacionuara në Kosovë.
Zvicra, siç dihet, bën pjesë në misionin paqeruajtës ndërkombëtar të NATO-s në Kosovë (KFOR) që nga viti 1999. Tani ka 195 ushtarë zviceranë në vend.
Ai është shumë i shqetësuar, thotë Grüter. “Ky konflikt ka potencialin të përshkallëzohet relativisht shpejt.” Sipas tij, këtu ka paralele me situatën në kufirin me Ukrainën një vit më parë. Në atë kohë, presidenti rus Putin pati vendosur tanket e tij atje. “E gjithë Europa ishte në gjumë, askush nuk e priste seriozisht luftën”. Dy muaj më vonë, Putin bombardoi Kievin. “Nuk mund të përjashtohet që e njëjta gjë të ndodhë në Ballkan dhe Serbia të pushtojë Kosovën me mbështetjen e Rusisë. Prandaj ai e mirëpret shumë faktin që Zvicra po ofron shërbimet e saj të mira në këtë situatë.
Por Jean-Hubert Lebet, i cili ishte ambasador i Zvicrës në Kosovë nga viti 2016 deri në vitin 2020, nuk është aq pesimist. Ai nuk pret një pushtim. “Si ambasador kam përjetuar disa herë provokime të tilla serbe”, thotë Lebet, transmeton albinfo.ch. “Secilën herë bëhej fjalë për një bllof prandaj nuk e kuptoj pse duhet të jetë ndryshe këtë herë”. Rreziku është shumë i madh për Serbinë. NATO do të kundërpërgjigjet menjëherë dhe Serbia do të humbiste çdo perspektivë të integrimit në BE.
Pra, sa delikate është situata në të vërtetë? EDA i referohet një njoftimi për media nga Këshilli Federal i dhënë më 23 nëntor. Aty thuhet se “Situata aktualisht është e qëndrueshme, por ende karakterizohet nga luhatshmëri”.
Delegacioni zviceran heq dorë nga vizita e veriut të Kosovës, për shkaqe sigurie
Ky vlerësim përputhet me faktin se shefi i ushtrisë Süssli po i qëndron vizitës së tij të trupave në Ballkanin Perëndimor, por programi është ndryshuar në një njoftim të shkurtër, përcjell albinfo.ch. Departamenti i Mbrojtjes shkruan se siguria e të gjithë pjesëmarrësve është prioriteti kryesor. “Fillimisht ishte planifikuar një vizitë e delegacionit në veri të Kosovës. Megjithatë, programi është përshtatur në dritën e situatës aktuale.”