Gazeta gjermane: Vuçiçi ëndërron të bëhet Perandor – Perëndimi duket se s’po mërzitet fare
Një ndër gazetat kryesore gjermane “Rheinische Post“, ka publikuar një artikull që i dedikohet promovimit të propagandës ruse në Serbi dhe mungesës së reagimit nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare, gjë që, sipas gazetës gjermane, mund të çojë në luftë të re në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.
Aty thuhet se pavarësisht se sa shumë investon Perëndimi në Serbi ekonomikisht dhe diplomatikisht, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, po ndjek një politikë të dyanshme dhe aspak transparente midis Rusisë nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara nga ana tjetër.
“Ideologjikisht, ai ndihet i lidhur me shefin e Kremlinit [Vladimir] Putin. Ai ndan ambiciet e tij për t’u bërë një fuqi e madhe dhe, ashtu si presidenti rus, ëndërron për një perandori të madhe serbe, për të cilën Perëndimi supozohet se nuk po mërzitet fare”, shkruan gazeta rajonale gjermane.
“Serbia është një vend i vogël, vështirë se është në gjendje të sfidojë seriozisht Perëndimin. Por në interes të Moskës, ajo mund të prishë politikën e BE-së në rajon, ku shumë vende grumbullohen në komunitetin e shteteve, duke ndërprerë dhe mbjellë konflikte”, thuhet në artikullin e titulluar “Si i nxit Rusia serbët për luftë?”.
“Bota perëndimore po zhytet në kënetën e dekadencës, dominuar nga kultura pop, feminizmi i panatyrshëm dhe një ‘qytetërim globalist’, ndërsa Rusia ka marrë kauzën e mbrojtjes së vlerave sllave, të krishtera dhe tradicionale. Në këtë ‘përplasje qytetërimesh’ Perëndimi do të humbasë, ekonomia e tij tashmë është treguar e pambrojtur”.
Gjithashtu, në artikullin e gazetës gjermane me seli në Dyseldorf, thuhet se institutet e pavarura të sondazheve kanë zbuluar se dy të tretat e serbëve e shohin Perëndimin si luftënxitës, ndërsa më shumë se gjysma e shohin Moskën si partnerin e tyre të preferuar politik, kurse vetëm 30 për qind duan lidhje më të forta me BE-në.