Fundi i "plaçkitjes patriotike" të mafisë së "biznespolitikës" shqiptare në Luginë të Preshevës?
Zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në Serbi dhe në Luginë të Preshevës, që u mbajtën të dielën, më 24 prill 2016, rikonfirmuan SNS-in e Aleksandar Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, si mazhorancë me 131, nga gjithsejt 250 deputetë të Parlamentit të Serbisë.Shkruar nga: Nehat Hyseni;
Kurse, shqiptarët e Luginës së Preshevës fituan vetëm një, nga tre deputetë të mundshëm, dmth fituan 0,43% nga reth 1,25% që mund t'i fitonin realisht, poqese do ishin të gjitha, dmth nëntë (9) partitë politike shqiptare, të bashkuar.
Madje, në këto zgjedhje parlamentare ndodhi edhe turpi dhe krimi i pabesueshëm: PDSH e Ragmi Mustafës me "satelitët" e vet në Preshevë, si dhe PD e Nagip Arifit dhe LPD e Jonuz Musliut në Bujanoc e Medvegjë, refuzuan listën Shqiptare "Ardita Sinani" dhe votuan për SNS-in e Aleksandar Vuçiqit dhe disa për listën e Zukorliqit në zgjedhjet parlamentare!
Kështu, këto parti shqipare, të cilat, "për arsye patriotike" pamundësuan zgjedhjen e tre deputetëve të mundshëm.
Prandaj, shqiptarët e Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të 24 prillit 2016, fituan vetëm një deputet shqiptar nga lista PVD-UDSH të Ardita Sinanit, si bartëse e listës.
Pra, është kjo një disfatë e radhës e shqiptarve në Luginë të Preshevës, që dirigjohen nga Serbia hiç më pak se 25 vjet, një çerekshekull të plotë, sipas formulës "magjike": "refuzim i Serbisë" zyrtarisht dhe pazarllëk për shitjen e kauzës dhe fatit të shqiptarve "privatisht".
Kurse, rezultati praktik i këtij pazarllëku të paskrupullt, të pashpirt e ogursi i kësaj mafie politiko-ekonomike është krijimi i "sheikëve të Luginës", si dinasti ekonomiko-politike të familjarëve të pushtetmbajtësve shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Si kundërshpërblim
për këtë "shërbim" të tyre, ata janë lejuar nga Serbia për tu pasuruar në mënyrë banditeske e kriminale dhe kanë ndërtuar dinasti në fshatrat dhe venbanimet e tyre, që preshevarët po e quajnë "Qytezë Pejton" e Dinastisë së Ragmi Mustafës & Company, në fshatin Zhunicë të Preshevës, si dhe të Nagip Arifit & Company në fshatin Tërnoc, në komunën e Bujanocit, që u ngritën dhe u zhvilluan të mbështetur fuqishëm 25 vjet nga qeveritë e Serbisë, me zhvatjen e buxhetit komunal në kontot dhe xhepat privatë të këtyre "bossave politikë" të biznespolitikës shqiptare në Luginë të Preshevës.
Këta biznespolitikanë "patriotë" e mafiozë, jo vetëm që nuk u penguan dhe ndëshkuan nga Serbia për veprimtarinë e tyre të paligjshëme e kriminale, që ka krijuar pasuri përrallore të tyre që shtrihet jo vetëm në Luginë të Preshevës, Kosovë e Shqipëri, por gjithandej edhe në Ballkan dhe më gjërë!
Cilat ishin format konkrete të zbatimit të formulës "magjike" të kësaj mafie politiko-ekonomike të biznespolitikës shqiptare në Luginë të Preshevës?
Mafia politike e biznespolitikës shqiptare në Preshevë, e kryesuar nga kryemafiozi Ragmi Mustafa dhe në komunën e Bujanocit, nga Nagip Arifi dhe Jonuz Musliu, të cilët:
1. Mbështetën politikën serbomadhe për ndarjen e Kosovës, të prirë nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Serbisë dhe pasuesi i Sllobodan Millosheviqit, Si dhe kryetar i SPS-it, Ivica Daçiqi. Kjo politikë tradhëtare dhe thellësisht antishqiptare e Ragmi Mustafës me mbÄ“shtetësit mafioz të tij e udhëheqësisë së pushtetit lokal nga Bujanoci, refuzonin me këmbëngulje, madje kategorikisht Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, si dhe qëndrimin e pretë të miqëve tanë ndërkombëtarë në krye me SHBA-të, për "tërësinë dhe unitetin territorial e mosndarjen e Kosovës"! Kurse e mbështetnin kauzën e Ivica Daçiqit, të cilën ai, si kryenegociator i palës serbe, e shtroi si propozim në Dialogun e Brukselit, për "shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë".Pra, "kali i Trojës" i politikbërjes serbe ishte futur fuqishëm si "pykë e Nasradinit" brendapërbrenda politikbërjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke sfiduar tmerrshëm krahun tjetër politik të politikbërjes së shqiptarve të Luginës, të cilët i respektonin sugjerimet e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe të miqëve tanë ndërkombëtarë, për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare. Madje, paradoksalisht, kjo mafi politike e biznespolitikanëve të përmendur, që me shpejtësi marramendëse pasuroheshin nga "plaçkitja patriotike" e buxhetit komunal në Preshevë e Bujanoc, akuzonte palën tjetër si "tradhëtarë"!
2. Në kohën kur zhvillohej intensivisht dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel dhe bëheshim përpjekje intensive për përmirësimin e pozitës diskriminuese të shqiptarve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i mbështetur nga Nagip Arifi dhe Jonuz Musliu, në mënyrë klandestine dhe të parregulltë dhe as pa lëshuar lejen e ndërtimit nga pushteti lokal që ata udhëhiqnin, vendosën Lapidarin e UÇPMB-së para ndërtesës së Kuvendit Komunal në Preshevë, të punuar nga një mjeshtër serb i Vllasotincës, nga rethina e Leskovcit në Serbi. Pastaj, nuk e mvrojtën fare dhe ia lejuan Serbisë që ta grabis pa kurrëfarë rrezistence, duke ia mundësuar Serbisë që ta ndaloj edhe Memorialin e Dëshmorëve në fshatin Rahovicë të Preshevës.
3. Shpallja e "Zajednicës shqiptare në Serbi", ishte sihariqi i radhës që e bënë "Triumvirati" Mustafa-Arifi-Musliu në vitin 2015, gjithashtu pa konsultuar fare partitë tjera të shqiptarve të Luginës dhe as Kosovën e Shqipërinë dhe ndërkombëtarët. Prandaj, ky bllof i rrezkshëm dhe antishqiptar i tyre, dështoi akoma pa filluar, meqë nuk u përkrah nga askush.
Këto ishin vetëm disa nga "truqet" antishqiptare të këtyre mafiozëve politikë të Luginës së Preshevës, që udhëhiqnin pushtetin lokal në Preshevë dhe Bujanoc, të cilët, më në fund, pas 12 vitesh, në zgjedhjet lokale të 24 prillit, me votën e lirë të shqiptarve humbën në mënyrë spektakulare.
Humbën pikërisht ashtu si e merituan! Me votën e shqiptarve.
Mbase, me humbjen e merituar të tyre, erdhi koha që të vihen para drejtësisë dhe gjyqit popullor të shqiptarve të kësaj ane për "plaçkitjet patriotike" dhe për maskarallëqet, pisllëqet e flliqësirat e mafiozllëqet politike dhe për pasuritë kriminale, si dhe për vjedhjet e paskrupullta të tyre. Mbase, do të nevoitej të formohet një Gjykatë Speciale për Luginën e Preshevës, e cila do i hetoj krimet e tyre ekonomike e politike, sipas standardeve të BE-së dhe botës së zhvilluar e demokratike.
Me humbjen e kësaj mafie politike në Preshevë dhe Bujanoc, që mbështetej fshehurazi, por fuqishëm dhe parezervë nga Serbia, shqiptarve të Luginës së Preshevës do t'i kthehet shpresa për një jetë më të mirë dhe për zvogëlimin dhe ndaljen e shpërnguljes, që ka marrë përmasa alarmante.
Gjithësesi, llogarisim në një mbështetje dhe bashkëpunim më aktiv me Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, si dhe me ambasadat e SHBA-së, me BE-në dhe miqtë e partnerët tjerë ndërkombëtarë, për një jetë më të sigurt, për liri qytetare e kombëtare dhe për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, arsimor e politik të kësaj pjese të Shqiptarisë.
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-TITULLI