Fronti i jugut: Rrëfimi pas 27 viteve dhe Lugina e Preshevës
Si dështoi Franjo Tugjmani t'i detyrojë liderët shqiptarë të Kosovës të ndezin luftë në Kosovë më 1991 dhe cilët politikanë kosovarë u bënë pjesë e kësaj loje, të cilën e kundërshtonte Ibrahim Rugova? Kush mori pjesë në takimin e partive shqiptare në Stubiçke Toplice afër Zagrebit dhe si rrodhën diskutimet? 27 vjet pas këtij takimi njëri nga pjesëmarrësit, akademik Hivzi Islami, sjell detaje ekskluzive nga shënimet që i kishte mbajtur atëherë.Më 19-20 janar 1991 mbushen 27 vjet nga takimi i partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, të mbajtur në Stubiçke Toplice, një vend balneoturistik afër Zagrebit. E posedoj bllokun me shënime që i kisha mbajtur në atë takim, në bazë të të cilit mund të rrëfej për ngjarjen, por disa çështje edhe i mbaj në mend mirë; shënimet në bllok ishin si një lloj procesverbali për nevojat e mia. Ndërkaq, tezat për diskutim për synimet e lëvizjes shqiptare, strategjinë e veprimit dhe format e organizimit të përbashkët të subjekteve politike shqiptare në ish-Jugosllavi janë në qarkullim, meqenëse u janë shpërndarë pjesëmarrësve të takimit.
Ishte folur një kohë relativisht të gjatë në Kosovë se po kërkohej të mbahej një takim i përbashkët i përfaqësuesve të të gjitha partive politike shqiptare të Kosovës, të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi. Kërkohej që takimi të mbahej në Zagreb dhe atë do ta organizonte Tomë Berisha, kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Kroaci. Flitej se ishin ftuar disa veta nga LDK-ja, V. Surroi nga Partia Parlamentare, L. Pula nga Partia Socialdemokrate, L. Krasniqi nga Partia Demokristiane, H. Islami nga Partia Fshatare, B. Kavaja dhe H. Gorani nga sindikatat, pastaj individët A. Demaçi, M. Krasniqi, R. Qosja, I. Kurteshi, M. Bakalli, Sh. Maliqi, ndoshta edhe ndonjë tjetër. Në Prishtinë kishte hezitime për atë takim nga I. Rugova e të tjerë, por kishte edhe të tillë që e kërkonin me ngulm takimin. Këta që ishin pro, në fakt ishin pjesë e frontit kundër Rugovës (Demaçi, Qosja, Maliqi, Surroi, Bakalli, Kavaja, L. Krasniqi, L. Pula dhe ndonjë tjetër).
Pa LDK-në dhe Rugovën nuk mund të mbahej takimi. Pasi Rugova dhe LDK-ja e pranuan kërkesën për të shkuar, u caktua edhe data e mbajtjes së takimit; me sa më kujtohet Rugova erdhi në takim nga Europa. Dy ditë para mbajtjes së mbledhjes Ali Aliu, Mehmet Kraja dhe unë u nisëm me një veturë të marrë me qira nga kompania «Kompas» e Lubjanës. Shkuam më herët sepse Kraja donte ta regjistronte revistën «Ora» të LDK-së te Ministria e Informimit e Kroacisë. Në takimin e parë që patëm Aliu dhe unë me Tomë Berishën në një restorant të Zagrebit e hetuam qartë se ku do të na shpiente loja që ishte përgatitur. Që në minutat e para nuk u pajtuam me Tomë Berishën rreth emërtimit të takimit. Ai insistonte të quhej «Kuvend gjithëkombëtar shqiptar» apo «Kuvend historik gjithëshqiptar». Ne e kundërshtuan dhe i thamë se kjo është shumë pretencioze dhe mund të quhet vetëm takim apo mbledhje konsultative e përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare në Jugosllavi. Morëm vesh se edhe Veton Surroi kishte arritur në Zagreb dhe në mbrëmje u takuam Ali Aliu, Veton Surroi, Mehmet Kraja, Tomë Berisha dhe unë, ku i hartuam tezat e mbledhjes (synimet e lëvizjes shqiptare, strategjia e veprimit dhe format e organizimit të përbashkët të subjekteve politike shqiptare në Jugosllavi). Tomë Berisha vërtitej aty-pari, bënte telefonata, vendi-vend nuk i zihej. Dëgjuam gjithashtu se edhe Mahmut Bakalli ishte tashmë në Zagreb, por një kohë relativisht të gjatë, i vendosur në një hotel luksoz në qendër të Zagrebit; gjatë gjithë kohës kishte pasur në dispozicion edhe një Mercedes për të shëtitur gjithandej nëpër Kroaci. Edhe pse Bakalli përfaqësonte vetëm vetveten, kishte marrë guximin që të dilte me kushtrimin për kryengritje të përgjithshme të armatosur në Kosovë, të cilin do ta quante «Kushtrim i Këshillit të Qëndresës Popullore të Kosovës»! Tekstin e kishte të përgatitur me makinë shkrimi.
Ky takim mbahej në një situatë tepër të tensionuar në Kroaci dhe në gjithë ish-Jugosllavinë. Ende ishte në fuqi urdhëresa e Kryesisë së RSFJ-së për çarmatosjen e formacioneve paraushtarake në Kroaci dhe skadonte pikërisht më 20 janar 1991, ndërsa Stipe Mesiqi, si kryetar i kësaj Kryesie nga Kroacia, kishte kërkuar edhe disa ditë të shtyhej afati i zbatimit të kësaj urdhërese. Me siguri se kjo shtyrje kishte lidhje edhe me këtë takim. Tomë Berisha dhe Veton Surroi kërkuan që në takim të merrnin pjesë delegatët tanë të Kuvendit në ekzil. U morëm vesh që të vinin disa delegatë, me Ilaz Ramajlin në krye. Kështu edhe ndodhi. Në takim nuk erdhën të ftuarit A. Demaçi, R. Qosja, M. Krasniqi, I. Kurteshi, L. Pula-Beqiri, Sh. Maliqi, H. Gorani dhe ndonjë tjetër. Arsyet nuk i mësuam.
Nga shënimet e mia del se takimin e hapi Tomë Berisha, kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Kroaci, si nikoqir. Në Kryesi të punës ishin edhe Ibrahim Rugova, Veton Surroi dhe Ali Aliu. Ibrahim Rugova si përfaqësues i partisë më të madhe shqiptare foli pas Tomës, duke propozuar nga duhet të shkojë diskutimi. Nga regjistri i diskutantëve, rezulton se në takim erdhën: I. Rugova, F. Agani, A. Aliu dhe M. Kraja nga LDK-ja; H. Islami nga Partia Fshatare; V. Surroi nga Partia Parlamentare; L. Krasniqi nga Partia Demokristiane; B. Kavaja nga sindikatat e Kosovës; Sh. Rrahimi dhe S. Ibrahimi nga Partia e Prosperiteti Demokratik të Maqedonisë dhe H. Ramadani, këshillëtar i kësaj partie; I. Halimi nga Partia Demokratike Popullore e Maqedonisë; R. Halimi dhe R. Hasani nga Partia për Veprim Demokratik të Luginës së Preshevës; L. Lulgjuraj nga një parti shqiptare në Mal të Zi dhe dikush tjetër. Mahmut Bakalli nuk e përfaqësonte askënd, sikundër dhe Fran Berisha, për të cilin ne në fillim mendonin se kishte ardhur si përfaqësues i ndonjë partie shqiptare nga Mali i Zi, por doli se ai ishte aty vetëm si vëlla i T. Berishës; Fran Berisha ishte më i zëshmi në atë takim për hapjen e «Frontit të Jugut» (diskutoi shumë herë, me shumë ndërhyrje e ofendime). Ishin të pranishëm edhe M. Nexhipi (nga Maqedonia) nga Lidhja Demokratike e Shqiptarëve të Kroacisë, specializant në stomatologji në Zagreb, H. Miniri, më vonë pronar i hotelit «Miniri» në Tiranë, Zef e Tomë Marku nga LDSH të Kroacisë. Nga Kranji i Sllovenisë kishte ardhur biznismeni nga Maqedonia Isak Ramadani, i cili, me sa shihet nga «stenogrami» im, nuk kishte marrë pjesë në diskutim. Nga delegatët e Kuvendit të Kosovës morën pjesë I. Ramajli, S. Hashani, B. Gjurgjealla, M. Shabani, S. Skenderi, N. Hoxha dhe H. Muharremi. Sigurisht ka pasur edhe pjesëmarrës tjerë, që nuk i kam të shënuar në bllok.
Një ditë para takimit Kraja dhe unë shkuam në selinë e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve të Kroacisë, ku ishin dhe selitë e disa partive tjera të Kroacisë dhe ku na dhanë një makinë të shkrimit dhe i shtypëm tezat orientuese, duke i sistemuar dhe plotësuar ku na dukej e nevojshme. Dikush na shërbente, na sillte ujë dhe kafe, një tjetër na bënte fotografi, të cilat kurrë nuk i pamë.
Mendonim se takimi do të mbahej diku në Zagreb, por në mbrëmje na thanë se do të shkojmë në një banjë, në Stubiçke Toplice, afër 40 km larg Zagrebit, të cilën unë e njihja, sepse kisha qenë dy herë kur isha student i shkallës së tretë në Zagreb. Me të arritur atje në mbrëmje, i morëm dhomat, pritnim të shkonim në darkë. Darka ishte «galla»; duket që regjimi i Franjo Tugjmanit, bashkë me T. Berishën, ishin përkujdesur mirë, sepse shpresonin se do ta pranonim kërkesën për hapjen e «Frontit të Jugut». Hyzmetin për këtë paraprakisht e kishin bërë Tomë Berisha dhe Mahmut Bakalli. Në hotelin e banjës pamë se po defilonin disa shqiptarë të armatosur, nuk e njihja asnjërin. Thanë se janë ushtarakët e Tomë Berishës. Rugovën e ruanin natën para derës me pushkë. Nuk e dinin apo e dinin se Rugova dhe ne të tjerët (Aliu, Kraja, Surroi dhe unë) do të ktheheshim në Prishtinë me makinë nëpër gjithë Kroacinë dhe Serbinë.
Më 19 janar para dite filloi takimi në një sallë të bukur. Takimin e hapi Tomë Berisha, dukshëm i pakëkënaqur ngase e nuhati tashmë që ne nuk jemi për ta plotësuar kërkesën e Tugjmanit. Nuk foli gjatë, duke propozuar, sipas shënimeve të mia, formimin e një «Këshilli për Vetëndihmë dhe Vetëmbrojtje pa dhunë», me kërkesën që aktivitetet të bashkërendoheshin me Kuvendin e drejtuar nga Ilaz Ramajli dhe Qeverinë e Kosovës, të drejtuar nga Jusuf Zejnullahu. Në fakt nën petkun e këtij «Këshilli» Tomë Berisha kishte mision krejt tjetër! Pas Tomë Berishës filloi diskutimi. Sipas shënimeve të mia, diskutuan gjithsej 22 veta, por pati gjithsej 49 diskutime, përfshirë këtu diskutimet nga disa herë nga të njëjtit diskutantë, por edhe ndërhyrjet. Rekordin për ndërhyrje e mbante Fran Berisha, i cili, siç u pa, bënte vetëm avokatinë e Tugjmanit dhe kërkesës së tij për hapjen e «Frontit të Jugut». Diskutuan: I. Rugova, A. Aliu, V. Surroi, S. Rahimi, F. Berisha, H. Islami, M. Bakalli, B. Kavaja, H. Ramadani, T. Berisha, R. Halimi, L. Krasniqi, I. Ramajli, H. Ramadani, L. Lulgjuraj, I. Halimi, S. Ibrahimi, B. Gjurgjeala, M. Nexhipi, F. Agani, H. Muharremi, M. Kraja.
Në paraqitjen e parë, pra para leximit të kushtrimit për kryengritje, Bakalli hodhi tezën për luftë të armatosur. Ishte kjo përpjekja e parë për të matur pulsin, por Rugova menjëherë i tha se luftë nuk mund të shpallim, sepse nuk kemi as fuqi e as përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA-ja. Numri i ithtarëve të opcionit të luftës në fillim dukej se nuk ishte i madh, prandaj nga frika se do të dominojë opcioni i luftës politike për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për t’u siguruar përkrahja më e gjerë për «Frontin e Jugut», Bakalli doli me kushtrimin për kryengritje! Disa filluan të trimëroheshin dhe në momente situata tensionohej. Duke lexuar kushtrimin, F. Agani më tha te veshi «ja çka bën pleqëria». Ia ktheva: nuk është punë pleqërie, por papërgjegjësie dhe idiotizmi; Bakalli atëherë kishte vetëm 55 vjet! Përveç Tomë Berishës dhe Mahmut Bakallit, që tashmë kishin marrë obligimet nga pushteti i Tugjmanit, Fran Berisha, ishte më agresivi: i ofendonte kundërshtarët e luftës së armatosur, sidomos Rugovën, duke e quajtur «dezinformues, mjegullues, të paperspektivë, frikacak, mjeran, tradhëtar» e çka jo tjetër.
Ditën e parë shqiptarët e Maqedonisë, që ishin edhe deputetë në Parlamentin e atjeshëm meqenëse ishin mbajtuar tashmë zgjedhjet parlamentare, nuk ishin për rezistencë të armatosur. Shukri Rrahimi vetëm tha atë ditë se bashkimi kombëtar të mos shtrohet pa pëlqimin e Shqipërisë. Por gjatë natës i kishin përpunuar: morëm vesh se Mahmut Bakalli përmes Hysen Ramadanit (funksionar i lartë në ish-Federatën nga Maqedonia) kishte ndikuar të ndërronin mendimin. Dhe të nesërmen Shukri Rrahimi kërkoi që edhe shqiptarët e Kosovës t’ia tregojnë thikat regjimit serb dhe të formojnë shtabet e luftës, me çka u rreshtua në anën e Tomë Berishës, Mahmut Bakallit dhe Franë Berishës, ndërsa Sami Ibrahimi bërtiste «luftë dhe luftë… »!
Pjesë e bllokut kritik ndaj Rugovës ishte edhe Veton Surroi, bashkë me Tomë Berishën, Franë Berishën, Mahmut Bakallin, Burhan Kavajën, Lazër Krasniqin dhe shqiptarët e Maqedonisë të nesërmen. Megjithatë Veton Surroi e kuptoi shpejt nga po shpie qëllimi i akterëve të «Frontit të Jugut» (Tomë e Franë Berisha dhe Mahmut Bakalli) dhe u tërhoq, duke kërkuar që të respektohej rendi i ditës. E kundërshtoi Shukri Rrahimin dhe tha se të zbresim në nivel të thikave e shtabeve është e rrezikshme. Në një moment të tensionimit të situatës e kundërshtova rreptë Shukri Rrahimin, duke i thënë kush do të luftojë, kur ju të gjithë do të ktheheni në vendet tuaja, ju bile drejt në Parlament të Maqedonisë, meqë ishte deputet. Shtrova nevojën e një qëndrimi unik të shqiptarëve rreth regjistrimit të popullsisë dhe braktisjes së APJ-së nga ana e ushtarëve shqiptarë. Veton Surroi angazhohej për rrugën e një rrezistence aktive, por as paqësore e as të armatosur, siç thoshte, sikundër që nuk e preferonte as aventurizmin politik, por as oportunizmin politik. E kërkonte një këshill apo komitet të rrezistencës apo qëndresës jashtë partive dhe jashtë Kuvendit, por kërkonte që të përkrahen nga partitë dhe Kuvendi. Në këtë drejtim, e lexoi një proklamatë. Në «stenogramin» tim nuk është e përfshirë proklamata dhe nuk mund ta parafrazoj.
Pasi mbaruan diskutimet, në fund të ditës së dytë, u bë një rezyme e pikave koncensuale të partive politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Dhe krejt në fund, u formua komisioni për të përgatitur një komunikatë për opinion në përbërje: Veton Surroi, Mehmet Kraja dhe Riza Halimi. Komunikata e shkurtër, pak e ndryshuar, nuk e dinim nga kush, u emitua në Radio-Zagreb, e vetmja dritare e shqiptarëve në kohëzgjatje prej 5 minutave në ora 22:30 minuta. Nuk zgjati as disa ditë dhe Tugjmani, i pakënaqur me përfundimin e takimit, e çoi këtë emision në ora 1:30 pas mesnatës dhe vetëm pas disa ditëve e mbylli krejtësisht.
Ne nuk ishim në dijeni se zhvillimi i punimeve po incizohej. Me faktin se më vonë qarkullonin disa versione të incizimeve të takimit, tregon se është përgjuar nga disa shërbime. Takimin kanë mundur ta incizonin KOS-i i APJ-së, sigurimi shtetëror jugosllav, sigurimi serb, shërbimet e pushtetit të Tugjmanit apo edhe shërbimet e huaja.
Pas përfundimit të takimit të përfaqësuesve të partive politike shqiptare në Jugosllavi, u mbajt një takim në vete i të gjithë përfaqësuesve nga Kosova aty në banjë me delegatët e Kuvendit të Kosovës. Diskutuan sipas radhës: I. Rugova, I. Ramajli, S. Hashani, B. Gjurgjeala, M. Shabani, S. Skenderi, N. Hoxha, B. Kavaja, H. Muharremi, F. Agani, A. Aliu, H. Islami, I. Ramajli. U bisedua për gjendjen në Kosovë dhe mundësitë e kapërcimit të saj dhe pozitën e delegatëve, e cila njëmend ishte shumë e vështirë; ndjeheshin si të braktisur nga ana e institucioneve të kohës në Kosovë.
Rugova, Surroi, Aliu, Kraja dhe unë do të ktheheshim me veturën me të cilën kishim shkuar, të «Kompasit»; do të na bashkoheshin në udhëtim Rugova dhe Surroi, që e kishin të aranzhuar një takim në Ambasadën Frënge në Beograd. Me të arritur në Beograd, këta dy hynë në Ambasadë, ne tre e pyetëm rojën e saj (ishte serb) se a mund ta lëmë veturën para Ambasadës, na tha po. Kur u kthyem veturën e kishte marrë «marimanga». Me mjaft probleme e gjetëm dhe e morëm në rrethinën e Beogradit. Në ndërkohë Rugova dhe Surroi mbaruan punë në Ambasadë, ku edhe kishin drekuar. Derisa u bë të niseshim, ra terri dhe e morëm rrugën për në Prishtinë, ku arritëm pas mesnatës. Disa herë patrullat e policisë na ndalën rrugës. «Kapllarët» e Tomë Berishës, që e ruanin me pushkë Rugovën në hotel në Stubiçke Toplice derisa flinte, mbetën në Zagreb, ndërsa Rugova bashkë me ne erdhi nëpër Kroaci, ku vinte erë luftë, dhe pastaj nëpër Serbi deri në Prishtinë.
Aventurierët e kohës, çfarë ishin Tomë Berisha dhe Mahmut Bakalli, dy ish-udhëheqësit ushtarako-partiakë në Jugosllavinë komuniste, ishin zotuar te regjimi i Tugjmanit se do t’i fusnin shqiptarët e Kosovës dhe rrjedhimisht gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi në një luftë krejtësisht ta pabarabartë, kur shqiptarët do të bëheshin «kurban» për interesat e këtij regjimi. Angazhimi i tyre për luftë të armatosur vinte madje në kohën kur bashkësia ndërkombëtare në krye me SHBA-të përmes ambasadorit në Beograd, W. Zimmermann, bënte apel çdo ditë që shqiptarët të mos e pranojnë provokimin që po u përgatitej nga të gjitha anët në ish-Jugosllavi; atëherë Amerika ishte e zënë me luftën e Gjirit Persik. Kur erdhi njëherë ambasadori amerikan në Prishtinë, u shtrua çështja e përjashtimit të punëtorëve nga puna, që kishte arritur shifrën afër 100 mijë. Burhan Kavaja nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura tha se kemi përgatitur një plan për t’i kthyer punëtorët në punë. Përgjigja decidive e ambasadorit Zimmermann ishte: mbështetjen e Amerikës këtu nuk e keni, sepse kjo do të thotë luftë, ndërsa Amerika nuk e përkrah luftën.
Problemi tjetër për ithtarët e luftës ishte se kush do ta organizonte dhe kush do ta bënte luftën në terren? Kush do ta mbështeste «Këshillin e Qëndresës Popullore të Kosovës»? Pa mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk mund të bëhej asgjë, sepse ajo e kontrollonte gjithë situatën në terren. Përfaqësuesit e LDK-së (Rugova, Agani, Aliu, Kraja), H. Islami, R. Halimi, V. Surroi dhe pjesëmarrës të tjerë e kundërshtuan opcionin e luftës së armatosur, disa mbetën neutralë. Nervoza dhe sjellja arrogante e obliguesve të luftës sa vinte e shtohej. Lazër Krasniqi, që ishte në anën e këtyre obliguesve, pyeti disa herë se çka jemi ne këtu, ne jemi për të sjellë vendime etj., dhe insistonte që si mbështetësit e luftës të formohej një instancë «demokratike» shqiptare. Mirëpo, «Këshilli i Qëndresës Popullore të Kosovës» do të mbetej në Zagreb në krye me Mahmut Bakallin dhe Tomë Berishën! Mbetej të futej në obligime të luftës së armatosur Lidhja Demokratike e Kosovës. Pas ngritjes së emocioneve, madje edhe ofendimeve të ndryshme, kundërshtimit të rrepët të Rugovës dhe përfaqësuesve të LDK-së dhe të tjerëve, mbisundoi arsyeja dhe opcioni i luftës nuk u pranua.
Sipas «heronjëve të luftës», lufta do të hapej në Kosovë, ndërsa disa nga «heronjtë» do të qëndronin në Zagreb (Tomë e Fran Berisha, Mahmut Bakalli, Muharrem Nexhipi, Zef e Tomë Marku etj.), disa do të aterronin me avion në Shkup për të vazhduar luftën politike në institucionet e Maqedonisë (Hysen Ramadani, Shukri Rahimi, Sami Ibrahimi, Ilaz Halimi); Lekë Lulgjuraj nga Mali i Zi do të zbarkonte në Podgoricë. Luftën do ta bënin shqiptarët e Kosovës, ndërsa do të përfitonin regjimi i Tugjmanit dhe «heronjtë e luftës». Në qoftë se lëvizja e atëhershme politike në Kosovë, që quhej «Alternativa kosovare», ndonëse pa eksperiencë politike, ka bërë diçka për ta vlerësuar në atë kohë për Kosovën dhe shqiptarët (evitimi i gjakderdhjes dhe i eksodit masiv), atëherë ishte pikërisht kundërshtimi i opcionit të luftës në Stubiçke Toplice dhe përqafimi i opcionit të rezistencës paqësore.
Vështruar nga perspektiva e sotme, duket joshëse kërkesa për luftë të armatosur kundër armatës jugosllave në fillim të vitit 1991, kur luftërat e armatosura të Serbisë së bashku me APJ-në kundër popujve joserbë, në radhë ta parë kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, ishin në prag të shpërthimit. Nga kjo perspektivë, ata që e kërkonin luftën e armatosur në atë kohë nga radhët e shqiptarëve, sot fare lehtë mund të na dalim «trima» dhe «patriotë», ndërkaq ata që e kundërshtuan këtë luftë edhe më lëhtë mund të cilësohen si «frikacakë» dhe «tradhëtarë»!
Sigurisht se shqiptarët nuk ishin ata që do ta pengonin luftën në Kosovë. A do të kishte luftë varej nga vlerësimi i Serbisë dhe i APJ-së. Mirëpo, hyrja në një aventurë në të cilën ishin zhytur Tomë Berisha dhe Mahmut Bakalli, ishte rrezik shumë i madh për gjithë shqiptarët, deri në fshirjen e tyre nga faqja e dheut. Çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve do të ishte harruar sikundër u harrua problemi i Krajinës së Kninit dhe i serbëve në Kroaci, madje në vitin 1995, pas shumë viktimave në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë që ndodhën në sytë e gjithë botës dhe në prag të Marrëveshjes së Daytonit. Kur u poqën kushtet, të brendshme dhe të jashtme, shqiptarët e kapën pushkën dhe lufta e tyre në Kosovë (UÇK), në Luginën e Preshevës (UÇPMB) dhe në Maqedoni (UÇKSH) solli rezultate pozitive. Por kjo ndodhi 8-10 vjet më vonë, kur u mor mbështetja e faktorit ndërkombëtar dhe Serbia u akuzua nga bashkësia ndërkombëtare si shkaktare dhe fajtore e luftërave dhe e tragjedive njerëzore dhe materiale. Tomë Berisha atëbotë bënte jetën e tij në Zagreb, ndërsa në prag të luftës së Kosovës Mahmut Bakalli tinëzisht, pa e autorizuar askush, takohej me pjesëtarët e sigurimit serb (Jovica Stanishiqi)! Pra, nuk e kapën këta pushkën dhe nuk e bënë organizimin e luftës në Kosovë!
Në qershor të vitit 1993, pasi shpërtheu lufta në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë dhe u pa se çka ndodhi dhe çka po ndodhë, i takova para hotelit «Dajti» në Tiranë Tomë Berishën dhe Zef Markun. Tomë Berisha më tha: «Ju kosovarët dolët të mençur», duke aluduar në takimin e Stubiçke Toplicës, por nuk deshi të bisedojë më gjatë, bëhej sikur nuk ka kohë. Tomë Berisha edhe një udhëheqësi të lartë të LDK-së atëherë i kishte kërkuar falje për qëndrimin që kishte mbajtur në Stubiçke Toplice.
Për mendimin tim, gjykuar nga ky takim, Mahmut Bakalli ishte një njeri tejet i papërgjegjshëm: në dimrin e vitit 1996 kur Demaçi, Qosja dhe Bakalli kishin hapur një fushatë të tërbuar kundër Rugovës, më thirri Iljaz Kurteshi dhe më tha se a mund të takohemi me Bakallin. Dakord, zhvilluam një bisedë të gjatë në shtëpinë e Bakallit. Hera e parë që hyra në shtëpinë e tij, por edhe nuk e njihja mirë. U ankua se e ka mashtruar Qosja. Me atë rast, në prani të I. Kurteshit, që angazhohej sinqerisht për çështjen, ia përmenda Bakallit mbledhjen në Stubiçke Toplice dhe kushtrimin e tij për kryengritje dhe nga ai mora përgjigjen: krejt kishte qenë gabim! Ta quash vetëm gabim një sjellje të tillë që do t’i çonte shqiptarët në masakra dhe deportim masiv për vetëm disa ditë ishte në anën tjetër të arsyes. Ndërkaq, në qershor të vitit 2003 në Tiranë njëri nga pjesëmarrësit e takimit në Stubiçke Toplice (një delegat i Kuvendit) më tha se pas refuzimit të kërkesës për hapjen e luftës së armatosur në Kosovë në kuadër të «Frontit të Jugut», ka ekzistuar plani që të gjithë kundërshtarët e kësaj kërkese në Stubiçke Toplice të likuidoheshin! Për këtë kishim dëgjuar edhë më parë.
Në atë kohë (fillimi i vitit 1991), kaptinë në vete ishte futja e ushtarëve shqiptarë në Gardën Kroate, që ende shërbenin në APJ. Forcat politike shqiptare të asaj kohe në Kosovë angazhoheshin që kjo armatë të braktisej, gjë që edhe ndodhi, por me shumë probleme dhe rreziqe. Edhe këtu roli i Tomë Berishës me «kapllarët» e tij ishte i papërgjegjshëm dhe tejet i rrezikshëm. Në këtë lojë ishte implikuar mjerisht edhe Zekeria Cana, atëherë veprimtar i KMLDNJ me seli në Prishtinë; me revole në dorë i kërcënonte ushtarët shqiptarë: «Në Gardë, në Gardë»! Ai atëherë sillej në Kroaci dhe kishte kontakte të shpeshta me D. Paragën, kryetar i Partisë së Drejtësisë, dhe qarqet e pushtetit kroat!
Shkruar nga Akademik profesor Hivzi Islami-Prishtinë