Forumi i biznesit Kosovë-Serbi, pjesëmarrëse edhe Lugina
Në Graçanicë, të shtunën më 9 maj, do të mbahet Forumi i biznesit Kosovë-Serbi.Me këtë rast, pjesëmarrës të kësaj ngjarje që organizohet nën patronatin e Odës Ekonomike të Evropës do të jenë afaristët kryesorë të këtyre dy vendeve.
Pjesa e Forumit është edhe Lugina e cila do të përfaqësohet nga Nexhat Behluli, i cili do të jetë i vetmi në cilësinë e të ftuarve nga ky rajon.
Pjesë e B2B2 takimeve në mes prodhuesve nga Serbia dhe Kosova do të jenë edhe prodhuesit nga komuna e Bujanocit : Agro-Adria, Termopan Glass, Profil ing dhe Megall, raporton Titulli.com.
Idea e organizimit të këtij Forumi është që përmes bisedave të drejtpërdrejta të definohen rrugët e përparimit dhe koordinimit drejt zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe Serbisë.
Tashmë është e qartë se delegacionin e afaristëve nga Serbia do ta udhëheqë kryetari i Odës Ekonomike të këtij shteti, Marko Çadezh, dhe drejtori i Zyresë për Kosovë pranë Qeverisë, Marko Gjuriç.
Nga ana tjetër, delegacionit kosovar do t’i prijë ministrja e ngarkuar për dialog nga Qeveria e Kosovës, Edita Tahiri dhe kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu.
Vendimi për organizimin e këtij Forumi ishte marrë në takimin e fundit i cili është mbajtur në Romë të Italisë, në kuadër të normalizimit dhe zgjerimit të aktiviteteve konkrete në fushën e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Serbi si dhe eliminimin e pengesave teknike dhe administrative në praktikë.
Oda Ekonomike e Serbisë dhe ajo e Kosovës kohën e fundit i kanë shpeshtuar takimet zyrtare, ndërsa si produkt i këtyre aktiviteteve, përveç zvogëlimit të barrierave, janë vërejtur disa rezultate konkrete në teren të cilat kanë ndikuar në rritjen e volumit të këmbimeve të mallrave në të dyja drejtimet. /Titulli.com/