Fondi Humanitar, projekt për punësim dhe zhvillim në Preshevë
Fondi Humanitar i Kosovës Lindore (FHKL) të premten në Preshevë do të shpalosë projektin e radhës “Politika në funksion të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit në Preshevë”.
Përmes një njoftimi të dërguar në redaksinë e portalit informativ Titulli.com, FHKL fton afaristët e Luginës së Preshevës, bizneset, bashkatdhetarët e qytetarët e interesuar, që të premten (3 prill) me fillim në orën 18h, në sallën e Kuvendit Komunal në Preshevë, të marrin pjesë në prezantimin e këtij projekti.
Xhelal Memeti, kryetar i Fondit Humanitar të Kosovës Lindore për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me ndihmën e anëtarëve tjerë prezent nga Fondi do të bëjë prezantimin e projektit në fjalë.
“Është rasti më i mirë për të gjithë të interesuarit, që drejtpërdrejt të vlerësojnë, sugjerojnë, shtojnë , e sidomos edhe vërejtjet e juaja eventuale janë të mirëpritura, se prej tyre na mësojmë. Presim pjesëmarrjen tuaj në prezantim dhe në projekt që ta bëjmë atë sa më të suksesshëm për të mirën e Preshevës”, thuhet në njoftimin e Fondit Humanitar të Kosovës Lindore.
Projekti “Politika në funksion të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit në Preshevë” është njëri nga projektet e shumta të realizuara nga kjo organizatë me seli në Zvicër, njëherit vije pas projektit për ndërtimin e 100 shtëpive në Luginë të Preshevës./Titulli.com/