FIFA nis edhe një procedurë disiplinore ndaj Serbisë, trajneri serb "nuk ka koment" Granit Xhaka, në një përplasje me lojtarët e Serbisë gjatë ndeshjes së zhvilluar në Katar, më 2 dhjetor 2022.
Lokale

FIFA nis edhe një procedurë disiplinore ndaj Serbisë, trajneri serb "nuk ka koment"

06.Dec.2022 07:54
0

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) nisi procedura disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, nën dyshimet se kombëtarja serbe ka shkelur disa rregulla gjatë një ndeshjeje me kombëtaren e Zvicrës, në kuadër të Kampionatit Botëror të futbollit.

FIFA veproi një ditë pas ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila tha se gjatë ndeshjes së zhvilluar më 2 dhjetor, janë dëgjuar "fyerje të rënda nga trajneri i përfaqësueses së Serbisë" në drejtim të shqiptarëve dhe janë vërejtur "veprime raciste nga tifozët serbë".

Në kombëtaren e Zvicrës luajnë disa futbollistë me prejardhje nga Kosova, përfshirë kapitenin Granit Xhaka.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, tha për Radion Evropa e Lirë se "është mirë që FIFA është marrë me këtë punë dhe e ka marrë seriozisht".

Trajneri i kombëtares së Serbisë, Dragan Stojkoviq-Piksi, tha se "nuk ka koment" për procedurat disiplinore që ka nisur FIFA.

Ai u pyet për to nga gazetarët në Beograd, pasi u kthye nga Katari, ku edhe po zhvillohet Kampionati Botëror.

Sipas njoftimit të FIFA-s, procedurat e nisura kundër Federatës së Futbollit të Serbisë lidhen me disa shkelje të mundshme, si: sjellje e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve, diskriminim dhe shkelje e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes. 

Pas fitores së Zvicrës më 2 dhjetor, Serbia u skualifikua nga kampionati, ndërsa Zvicra vazhdon garën tutje.

Gjatë lojës u vunë re disa përplasje fizike dhe verbale, përfshirë sharje, midis lojtarëve serbë dhe kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka.

Përveç Xhakës, për Zvicrën luan edhe Xherdan Shaqiri me prejardhje nga Kosova, si dhe Ardon Jashari me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

Ministri Çeku: Faktet janë publike

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku, tha se FIFA-s nuk do të duhet t’i marrë kohë të gjatë procesi i hetimit të Federatës serbe të Futbollit, si dhe marrja e vendimit.

"Faktet janë publike, shkeljet janë shumë lehtë të konstatueshme dhe të dokumentueshme. Tanimë mbetet vetëm të zhvillohet procedura dhe të konstatohet lartësia e dënimit për Serbinë”, tha Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se ministria e tij është vazhdimisht në kontakt me FFK-në, për t'i ofruar "mbështetjen e nevojshme institucionale".

“Sjellja e trajnerit, futbollistëve dhe tifozëve të Serbisë është skandaloze, është e turpshme, është shkelje flagrante e rregullave të Kampionatit Botëror dhe rregulloreve të FIFA-s dhe është, padyshim, edhe një tjetër dëshmi e sjelljes shoviniste serbe kur bëhet fjalë për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi”, tha Çeku.

Për trajnerin kosovar të futbollit, Bylbyl Sokoli, është e pakuptimtë të ketë thirrje raciste ndaj shqiptarëve në një ndeshje si kjo - kur Serbia ka rivale Zvicrën - vetëm për shkak të pjesëmarrjes së futbollistëve me prejardhje shqiptare.

Sipas tij, problemet e tilla nuk mund të zgjidhen përmes masave disiplinore të FIFA-s, pa u zgjidhur raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel politik.

Çfarë pa një dëshmitar?

Hasan Rrahmani, një tifoz me prejardhje nga Kosova që ishte i pranishëm në Stadiumin 974, ku u zhvillua ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë, tha për Radion Evropa e Lirë se atij dhe vëllait të tij nuk u është lejuar hyrja në stadium me fanellë dhe shall me simbole shqiptare.

Sipas tij, tifozët serbë "janë lejuar të mbanin me vete pankarta me mesazhe si 'Kosova është zemra e Serbisë'".

“Unë e urrej nacionalizmin e edhe më shumë ultra-nacionalizmin. Ne jemi, thjesht, tifozë të futbollit. Nuk kam asnjë problem me serbë. Por, ajo që përjetova atë ditë në Doha, gjatë Kampionatit Botëror, në shekullin e 21-të, vitin 2022, ishte e tmerrshme”, u shpreh Rrahmani për Radion Evropa e Lirë.

Iniciativa e të rinjve serbë: "Racizëm ndaj shqiptarëve"

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, me seli në Serbi, i bëri thirrje Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) që të dalë me një raport për, siç tha, incidentet gjatë Kupës së Botës.

"Mendoj se një njoftim zyrtar nga FSS-ja do të ishte minimumi, për t'u kërkuar falje të gjithëve që e ndoqën ndeshjen, por edhe për të dënuar sjelljen e lojtarëve, përzgjedhësve, përfaqësuesve të federatës... [Por] marrë paraysh se si janë sjellë në të kaluarën, nuk kam shpresë se do të veprojnë kështu", tha për Radion Evropa e Lirë Marko Millosavleviq nga kjo iniciativë.

Gjykuar nga pamjet e ndeshjes Serbi-Zvicër, tha ai, "duket qartë se në disa raste është shprehur një lloj racizmi ndaj shqiptarëve".

Sipas tij, një sjellje e tillë në lojë është "pasqyrë e një kulture të përhapur dhe të rrënjosur të poshtërimit".

Çfarë parasheh Kodi Disiplinor i FIFA-s?

Sipas nenit 12 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, lojtarët dhe zyrtarët mund të ndëshkohen me pezullim nga një ndeshje shkaku i sjelljes josportive, apo nga tri ndeshje për sulm fizik ndaj një lojtari apo personi tjetër.

Neni 13 thotë se kushdo që ofendon dinjitetin apo integritetin e një vendi, personi apo një grupi njerëzish përmes shprehjeve apo veprimeve diskriminuese ose nënçmuese, mund të ndëshkohet me "pezullim prej së paku dhjetë ndeshjeve ose për një periudhë specifike".

Nëse tifozët kanë sjellje të tillë, federata përgjegjëse ndëshkohet me zhvillimin e një ndeshjeje me një numër të kufizuar të tifozëve dhe me gjobë prej së paku 20 mijë frangash.

Nëse një shkelje e tillë ka ndodhur edhe më parë, atëherë mund të merren vendime më të rënda - nga ulja e pikëve deri te përjashtimi prej garës së caktuar.

Sipas nenit 16 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, federatat dhe klubet konsiderohen përgjegjëse për sjelljen e tifozëve të tyre.

Kur FIFA vendos të hapë një hetim, komisioni përkatës përcakton nëse ka pasur shkelje të Statutit të FIFA-s dhe të Kodit Disiplinor. Në rast shkeljeje, komisioni mund të shqiptojë gjoba. Afati i fundit për marrjen e një vendimi, në përgjithësi, nuk është i specifikuar.

Çfarë kërkoi FFK-ja?

Sipas FFK-së, slogane me mesazhe politike dhe raciste ndaj shqiptarëve u vunë re pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, më 2 dhjetor.

FFK-ja, në reagimin e saj, kërkoi që FIFA ta hetojë dhe sanksionojë Federatën serbe të Futbollit.

"Ekipe dhe tifozë me sjellje e filozofi të urrejtjes së njeriut për njeriun nuk do të duhej të kishin vend në ngjarje kaq të rëndësishme sportive, siç është Botërori ‘Katari 2022’”, tha FFK-ja.

 

Kjo është procedura e dytë disiplinore, brenda pak javësh, që FIFA inicion ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë.

Në nëntor, pas një ankese të FFK-së, FIFA hapi procedurë disiplinore për shkak të, siç u tha, shfaqjes së një flamuri në zhveshtoren e përfaqësueses së Serbisë, me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.

FIFA, me këtë rast, citoi një pjesë të Kodit të saj Disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë "gjestet, shenjat ose gjuhën fyese" dhe "përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrimin e një natyre josportive".

Zyrtarët serbë e cilësuan si "hipokrizi" nisjen e masave disiplinore.

 

Zvicra dhe Serbia u përballën në Kupën e Botës edhe katër vjet më parë në Rusi.

Në vitin 2018, Zvicra e eliminoi nga gara Serbinë dhe ndeshja, po ashtu, u përshkua me tensione.

Atëbotë, Xhaka dhe Shaqiri festuan golat e tyre kundër Serbisë, duke bërë me duar simbolin e shqiponjës.

Ky gjest u pa si provokim nga lojtarët serbë dhe dy lojtarët e Zvicrës u dënuan nga FIFA me gjobë.

 

Kontribuoi: Nevena Bogdanoviq-REL

Vuçiq bisedon me Lajçakun për situatën në Kosovë
Rëndësia e samitit BE - Ballkani Perëndimor në Tiranë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration