FHKL kërkon mobilizim për të parandaluar shpërnguljen e Luginës
Shqiptarët nën Serbi po përjetojnë një situatë shumë të rëndë, veçanërisht pas ndërprerjes së ndeshjes së futbollit për Evropianin 2016 mes Serbisë dhe Shqipërisë më 14 tetor 2014 në Beograd. Të nxitur edhe nga mosreagimi adekuat i autoriteteve qeveritare serbe dhe duke marrë si pretekst fluturakën (Dronin), që nuk dihet se kush e kishte lansuar mbi stadiumin e Partizanit në Beograd, huliganët serbë pas kësaj ngjarjeje kanë djegur e shkatërruar pasuritë e bizneset e shqiptarëve, kudo që shqiptarët zhvillojnë aktivitetet e tyre që nga Vojvodina, në Serbinë Qendrore dhe Jugore, thuhet në komunikatën e Fondit Humanitar të Kosoves Lindore me seli në Zvicër.FHKL konstaton me keqardhje se reagimi i faktorit shqiptar është i zbehtë, thuajse asgjë nuk po ndodh. Kjo për fatin e keq të risjell në kujtesë sjelljen aspak serioze të politikanëve të djeshëm të Kosovës Lindore që serish po të njëjtit rizgjidhen apo emërohen pavarësisht neglizhencës së tyre në të kaluarën jo të largët kur humbëm Marrëveshjen e Konçulit, pakësuam numrin e zgjedhësve duke bojkotuar regjistrimin e popullsisë, kur reagimet e përfaqësuesve dhe politikanëve tanë lënin shumë për të dëshiruar qoftë për arrestimet dhe proceset e padrejta gjyqësore ndaj shqiptarëve, qoftë edhe për indiferencën para dhe pas heqjes forcërisht të Lapidarit pranë zyrave të tyre.
Fondi Humanitar po ndërton 100 shtëpi me moton "Të ndërtojmë, të shpëtojmë, të parandalojmë“, me qëllimin kryesor, - frenimin e shpërnguljeve nga trojet tona etnike shqiptare. Në përmbyllje të këtij viti po përfundojmë kryelartë ndërtimin e 32 shtëpive. Nëse ndërtimi i 100 shtëpive, që kanë një çmim qindra-mijëra e miliona euro (€), përfshirë këtu aktivitetet e parreshtuara dhe të gjithanshme të një stafi njerëzish të përkushtuar pranë Fondit Humanitar që synim parësor kanë parandalimin e shpërnguljes, atëherë si mund të shpjegohet që politikanët në Kosovën Lindore të bëjnë të kundërtën e asaj që ky Fond bën, të cilët përmes deklaratave të papërgjegjshme nxisin që në një hark kohor (24 orë) të shpërngulen familje të tëra. Në vend që të mbrojnë vlerat tona kombëtare, përfshirë traditat, simbolet, tekstet shkollore dhe në vend që të jenë në funksion të aspiratës së ligjshme të popullit tonë, politikanët si këta tanët vazhdojnë të jenë mbërthyer brenda një rrethi vicioz, pa ide, pa kreativitet, me mungesë guximi, vullneti, përkushtimi dhe sakrifice.
Fondi Humanitar duke parë gjendjen faktike në terren kërkon një përafrim dhe mobilizim të të gjithëve në Kosovën Lindore dhe kudo që ndodhemi në botë të jashtme. Të veprohet dhe të mos shantazhohet Të ruajmë me çdo kusht dhe me çdo çmim popullatën në Kosovën Lindore. Të punojmë në çdo kohë dhe në çdo situatë për të parandaluar shpërnguljen Politikanët të bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët dhe të vetëm që të ruhet substanca shqiptare në Kosovën Lindore. Tirana zyrtare të jetë në nivelin e përgegjësisë kombëtare dhe kushtetuese që ka për t'u përkujdesur çdo herë dhe kurdoherë për shqiptarët kudo që janë, veçanërisht në trojet e tyre etnike të mbetura padrejtësisht jashtë trungut amtar, siç është Kosova Lindore. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Beograd, të jetë në përputhshmëri me frymën dhe gërmen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të artikulojë dhe mbrojë interesat e bashkëkombëseve të tij në Kosovën Lindore dhe aspiratat e tyre për ruajtjen dhe avancimin kulturor, arsimor, ekonomik dhe kombëtar njëkohësisht.
Prishtina zyrtare ka detyrim kombëtar dhe shtetëror të punojë dhe të ngre zërin mbi padrejtësitë e së kaluarës, kur Kosova Lindore u aneksua nga trungu i Kosovës. Prishtina zyrtare nuk duhet të hezitojë të bëjë detyrën që i takon. Me shqetësim vërejmë se pas 30 takimeve dhe aktiviteteve të Fondit Humanitar në Kosovë, ndihma e premtuar ka ngelur thjeshtë në letër. Jemi në prag të 28 Nëntorit festës sonë të shenjt kombëtare. Lë të jemi të përbashkuar rreth atij qëllimi sublim që kanë aspiruar dhe aspirojnë brezat e djeshëm dhe të sotshëm. Të bëjmë gjithçka që mundemi dhe ne mund ta bëjmë një gjë të tillë që Kosova Lindore të mbijetojë, t'i rikthehet dinjiteti, të bëhemi si NJË që të gjithës së bashku të jem të pathyeshëm në qëllimin tonë të ligjshëm.
Fondit Humanitar i Kosoves Lindore, Zvicër
02.11.2014 Koblenz AG
Kryetari, Xhelal Memeti