Dy shpërthime me shok bomba në Mitrovicë të Veriut
Në Mitrovicë të Veriut kanë ndodhur dy shpërthime me shok bomba në mbrëmjen e 7 dhjetorit.
Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se nga këto shpërthime nuk ka të lënduar.
“Kanë ndodhur dy shpërthime me shok bomba. Nuk ka dëme e as të lënduar. Një është hedhur në një udhëkryq në Lagjen e Boshnjakëve dhe një në Kodrën e Minatorëve. Ka shtëpi të banuara në afërsi, mirëpo nuk ka të lënduar. Këto janë shok bomba, nuk kanë aftësi shkatërruese, por kanë një efekt jashtëzakonisht të madh të zërit”, tha Hoti.
Lagjja e Bosnjakëve është një vendbanim shumetnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë.
Këto shpërthime vijnë një ditë pasi Policia e Kosovës tha se grupe dhe persona të maskuar, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav” sulmuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.
Në momentin e këtyre incidenteve, policia ishte duke përcjellë zyrtarët zgjedhorë, të cilët ishin nisur për të vizituar zyrat zgjedhore në këto komuna.
Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar “bandat kriminale” që “mbështeten nga Serbia” për këto incidente, që sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, janë “sulme terroriste”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor.
Këto katër komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbë, që nga fillimi i nëntorit janë pa kryetarë. Kjo pasi ata dhanë dorëheqje për të kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
KQZ-ja ka kërkuar që të ofrohet siguri për zyrtarët zgjedhorë. Ndërkaq, Presidenca e Kosovës tha se pasi të kenë marrë vlerësimet e Policisë së Kosovës, do të vendosin nëse do të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve.
Situata e sigurisë vë në pikëpyetje zgjedhjet në veri
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha të mërkurën se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.
Hovenier, tha se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës "duhet të jetë prioriteti më i lartë".