Diplomati rus në Beograd: Mund të ketë gjakderdhje në Kosovë, por Perëndimi s’lejon luftë
Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, ka thënë se mund të ketë gjakderdhje në Kosovë.
Në një intervistë për të përditshmen ruse “Izvestia”, ai ka thënë se megjithatë, luftë në shkallë të gjerë nuk mund të ketë sepse nuk do ta tolerojë Perëndimi.
“Mendoj se nuk përjashtohen shpërthimet e konflikteve, acarimet, nuk përjashtohet as gjakderdhja. Por Perëndimi që ka mision atje dhe kontrollon situatën në Kosovë, nuk do të lejojë një luftë në shkallë të gjerë, sepse do të ishte kundërproduktive dhe e papërballueshme për Bashkimin Evropian. Për Perëndimin, qoftë Bashkimi Evropian, Uashingtoni apo NATO, gjëja më e rëndësishme është ruajtja e një situate të përhershme para krizës që iu mundëson të ushtrojë presion mbi Beogradin gjatë gjithë kohës”, deklaroi ai, raporton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zhvillohet në kuadër të OKB-së, pasi, sipas tij, Rezoluta 1244 mbetet ende në fuqi.
“Për më tepër, misioni i OKB-së mbetet në Kosovë dhe më e rëndësishmja, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, e cila është themelore dhe nuk është anuluar nga askush, mbetet në fuqi. Nëse duam negociata të frytshme dhe një zgjidhje të qëndrueshme, duhet të kthehemi në bazën e rezolutës dhe të negociojmë brenda kornizës së saj. Natyrisht, duke qenë se kjo është një rezolutë e Këshillit të Sigurimit, negociatat e tilla duhet të zhvillohen nën kujdesin ose në kuadër të Kombeve të Bashkuara, me pjesëmarrjen e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Sipas tij, ky format ndoshta do të çonte në ndryshim dhe përparim, “megjithëse jo shpejt”.
“Megjithatë, për këtë nuk flitet për momentin, duke qenë se perëndimorët kanë marrë formatin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e Bashkimit Evropian”.
I pyetur nëse Serbia po e kërkon ndihmën e Rusisë në çështjen e Kosovës, ai tha se zgjidhja mes dy vendeve duhet të arrihet në interes të Serbisë, sepse siç u shpreh ai, “Kosova është pjesë e Serbisë”.
“Tani Serbia po i merr parasysh të gjitha rrethanat aktuale në një kuptim më të gjerë, të cilat tregojnë se Kosova, edhe pse problemi mbetet shpërthyes, është larg të qenit një çështje prioritare në agjendën ndërkombëtare. Ajo (Serbia, shën.red.) vazhdon të flasë për përkushtimin e saj në negociata dhe për të marrë pjesë në to nën patronazhin e Bashkimit Evropian, por, në kuptimin tim, pa llogaritur ndonjë përparim, pasi marrëveshjet kryesore që janë jetike për serbët janë arritur 10 vjet më parë, por ato nuk po zbatohen (po flasim për marrëveshjet e Brukselit – shën.red.). Dhe Prishtina, me pajtimin e Bashkimit Evropian dhe Perëndimit në tërësi, vazhdon të bëjë gjithçka për të marrë kontrollin e veriut të Kosovës me popullsi serbe. Ministri ynë Sergej Lavrov tha se kushtet e reja do të bëjnë të mundur zgjidhjen e shumë konflikteve të kahershme. Besoj se këtu përfshihet edhe Kosova. Kjo çështje duhet dhe mund të zgjidhet në radhë të parë për interesat e Serbisë, sepse Kosova është pjesë e Serbisë”, u shpreh ambasadori rus në Beograd.