Lokale
Diaspora e Luginës kremton 100 vjetorin e Pavarësisë në Austri
Wels ( Austria Veriore) - Violina dhe kitara në duart e Teutës dhe Dardanit, vëlla e motër, hapen tubimin madhështor me intonimin e Himnit Kombëtar .
Qindra bashkatdhetarë, kryesisht nga qytetet e bukura te Karadakut plakë, Presheva e Kumanova, po edhe nga tere rajonet e Shqipërisë Etnike, festuan Festen me te madhe te tyre -Ditën e Flamurit dhe ditën e shpalljes se Pavarësisë se Shqipërisë.
Shoqëria Kulturore „ Dardanet e Rinj“ kishin përgatitur program të shkëlqyer veçanërisht për këtë mbrëmje. Orkestra Folklorike, nën drejtimin e Adem Maliqit, veteran i folklorit, me mjeshtëri vërtet të rrallë përcolli këngët e vallet. Koreografi Xhezair Saiti me grupin e Valltareve shumë shpejtë gjeti rrugën për te zemrat e përmalluara për valle autoktone shqipe të mërgimtarëve. Vallja e Karadakut ,Gjilanit dhe Vallja Çame, ajo e grupit të djemve, sikur treguan se Shqipet e atyre trevave janë gati për fluturim… Dhe vërtet fluturuan djemtë tanë , sot te mbathur me opinga, e nesër… Vallja e Pavarësisë, Vallja Kosovare po sidomos vallja „Fluturo Shqipe“ , me këngën e „Produkt 28“, vallëzuar nga Grupi i Vajzave, sikur donte të thoshte se ne të rinjtë e të rejat e kohës moderne shqiptare- jemi po ato shqipe te lashta kur „nga një det në tjetrin det, Zot ishim vet“!
„Ne po e përjetësojmë ëndrrën! Fëmijët tanë do e qojnë, padiskutueshëm deri ne fund,!“-u shprehe humanisti i veprimtari Dr. Florin Ramadani.
„ Kemi të gjithë të njëjtin gjak- atë shqiptar! Pavarësisht se nga vijmë e çfarë feje kemi!“- tha Mr. Muejdin Ahmeti, imam ne xhaminë shqiptare ne Wels.
„ Heronjtë i kemi edhe në mesin tone! Këta janë ata që ndanë kafshatën e bukës për të ndihmuar në ditë të vështira trojet shqiptare! Këta janë ata që lëne fëmijët e mësynë rrugën e lirisë!- tha Shyqeri Bytyqi, i cili shpërndau Mirënjohjet e SHKA“ Dardanet e Rinj“ për bashkatdhetarët me kontribute të veçanta humanitare, sportive e atdhetare. U nderuan ata që nderuan veten me punën e tyre! Një mirënjohje iu dhe edhe ish ushtareve të Ushtrisë Çlirimtare të përfaqësuar simbolikisht nga tre ish ushtare!
Ishte shumë e vështirë të frenohej rinia shqiptare e Welsit, kur filluan të këndojnë Malush Krasniqi, Ibrahim Osaj e Amir Rexhepi. U mbushë shumë shpejtë hapësira mes platos e publikut me vallet e tyre. „ Prej Presheveee dej n´Prevezeee…“ . „ Komandant Kumanova“ , „ Th`rret Prishtina mori Shkodër“ u kënduan e vallëzua pothuajse nga tere salla…
Mbrëmja u mbylle me shpresën që 101 vjetori ta gjejë Shqipërinë ashtu siç duhet të jetë: aty ku bukës i thonë buke e ujit- ujë!/PreshevaNews/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!