Dështon iniciativa për largim të kryetarëve në veri të Kosovës (video)
Rajoni dhe Politika

Dështon iniciativa për largim të kryetarëve në veri të Kosovës (video)

22.Apr.2024 08:12
0

Të dielën ka dështuar procesi i votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës.

Serbët lokalë, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – ndonëse kanë marrë pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve – më vonë e kanë bojkotuar procesin, sikurse ka bërë thirrje Lista Serbe.

Kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se ka vendosur të bojkotojë procesin për shkak të listave të vjetërsuara të votuesve dhe duke pretenduar se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.

Si pasojë e dështimit të procesit të 21 prillit, kryetarët shqiptarë e kanë siguruar edhe një vit në krye të komunave, pasi një proces i njëjtë nuk do të mund të zhvillohet në 12 muajt e ardhshëm.

Udhëheqësit shtetërorë të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur keqardhje për mosshfrytëzim të së drejtës së votës në veri.

 

Shifrat e KQZ-së

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka thënë se iniciativa ka dështuar pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.

Sipas Radoniqit, në total kanë votuar 253 persona prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Në Leposaviq kanë votuar 124 votues apo 0.91 për qind e shifrës totale, në Zubin Potok, 18 votues, apo 0.26 për qind, në Zveçan asnjë votues, ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 111 votues, apo 0.59 për qind e votuesve.

Të gjitha qendrat e votimit - 23 - janë hapur në orën 07:00 dhe janë mbyllur në orën 19:00.

Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), që bën vëzhgimin e proceseve zgjedhore, ka thënë se "procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të interesimit nga qytetarët".

Sipas tij, gjatë ditës nuk është raportuar për asnjë incident./REL/

Mustafa akuzon Arifin:I turpshëm dhe shpifës
Konkursi për shkollat fillore dhe të mesme në Luginën e Preshevës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration