Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhaj: Çështja e e Luginës së Preshevës nuk u fut në marrëveshjen në Ohër (video)
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se termi vetëmenaxhim tregon qe si koncept është larg Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe larg vetëqeverisjes.
Kështu është deklaruar ai të martën në “Interaktiv” të KTV-së, ku ka shtuar se me dakordimin e arritur në Ohër më 18 mars midis Kosovës dhe Serbisë, ka një zhërbje nga Asociacioni në vetëmenaxhim.
Rexhaj ka thënë se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja si garantuese të marrëveshjes duhet “t’ia ngrehin veshin” presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për deklaratat që dha se nuk do të zbatojë nenin 4 të marrëveshjes.
“Nuk duhet t’i ngrehet veshi vetëm palës kosovare. Kemi deklaratë të presidentit të Serbisë, Vuçiqi vetëm 3-4 ditë pas marrëveshjes që tregon se po e shkel drejtpërdrejt atë. A e bën për politikë apo çfarë nuk na intereson. Çështja është që ndërmjetësve ndërkombëtarë duhet t’u shkojë në vesh kjo”, tha Rexhaj.
Ai sqaroi se çështja e Luginës së Preshevës sipas Grabrile Escobar nuk ka mundur të futet në këto diskutime në Ohër dhe se reciprociteti i të drejtave të serbëve të Kosovës dhe shqiptarët në Luginë nuk ka qenë temë e diskutimi (video nga minuta 13:35).
Sipas tij kjo nuk e pengon palën kosovare që ta bëjë temë prap.
Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, ka thënë se Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është e mirë për faktin se “ndahet mexha me Serbinë në kuptimin direkt të fjalës”.
“Kosovës i hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Po ashtu s’do të kishim probleme në komunat me shumicë serbe”, ka thënë Rexhaj.