Lokale
Daçiqi nuk e hoqi përmendoren
Edhe pse kishte thënë se më 17 janar do të hiqte përmendoren “me dëshirë apo me forcë”, kryeministri i Serbisë deri në këtë moment “nuk ka realizuar premtimin e dhënë”.
Pllaka përkujtimore me emrat e Dëshmorëve të UÇPMB-së po qëndron në sheshin e Preshevës, para godinës së administratës komunale.
Titulli raporton se edhe pse ndjehet atmosferë e tensionuar në mesin e qytetarëve, situata është e qetë.
Disa qytetarë pushojnë në ulëset afër përmendores, disa të tjerë shëtisin, ndërsa kohë pas kohe përmendorja e UÇPMB-së vizitohet nga reporterët vendor dhe të huaj.
Kryeministri dhe Ministri i punëve të brendshme, Ivica Daçiq pas vendosjes së përmendores së UÇPMB-së pat thënë se do ta heqë ate më 17 janar.
“Nëse atë nuk e heqin vet, do ta heqim ne me dëshirë ose me forcë”, është shprehur Daçiq.
Kohëve të fundit ai ka zbutur prononcimet e tij, duke ofruar tani zhvendosje të pllakës përkujtimore në një lokacion tjetër.
Këtë ofertë të Daçiqit nuk e kanë pranuar kuvendarët shqiptar të Luginës dhe në mbledhjen e djeshme të Kuvendit të Komunës së Preshevës, njëzëri është vendosur që përmendorja të mbetet aty ku është duke aprovuar vendimin për legalizimin e saj./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!