Daçiq diskuton me Escobarin për marrëveshjet e Brukselit
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka diskutuar të mërkurën me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar rreth shqetësimeve që ka për “dështimin e Prishtinës që të zbatojë marrëveshjet e Brukselit”.
Sipas Ministrisë së Jashtme serbe, Daçiq ka thënë se “Serbia është e përkushtuar për thellim të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, me qëllim të stabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Më herët gjatë ditës, Escobar është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren e këtij shteti, Ana Bërnabiq.
Sipas institucioneve serbe, palët kanë diskutuar për barrikadat në veri të Kosovës dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.