"Cili lider rrenavec i Luginës e mashtroi Sali Berishën?"
Deklarimi i 28 tetorit i ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ka nxitur reagimin e deputetit nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi.Në një postim të deputetit, me titulli “Kur mashtrohet edhe Sali Berisha”, Kamberi shtron pyetjen se si mund të arsyetohet një deklarim i tillë i ish kryeministrit për “Autonominë e shpallur” dhe “liderët e arrestuar”, përveçse aftësi e tij për të parashikuar se çka do të ndodhë në të ardhmen.
Kamberi dyshon se Berisha mund të jetë edhe, siç thotë ai “pre e mashtrimit të ndonjërit nga liderët rrenavec të Luginës së Preshevës”.
“Ndoshta edhe ai vet (Sali Berisha) është pre e mashtrimit të ndonjërit nga liderët rrenavec të Luginës së Preshevës, që për vete po mundohen të sigurojnë poena, qoftë edhe të lirë politik, edhe përmes mashtrimeve ndaj një personaliteti çfarë është Sali Berisha”, reagon Kamberi.
Ai matej thekson se duhet të sqarohet se me cilin nga këta “matrapaz politik”, së fundmi, ka pasur takim z. Berisha dhe se çfarë iu është servirur në atë takim.
“Do të ishte mirë që vetë z. Berisha të japë një sqarim se prej nga mori këtë informacion të rremë me të cilin ngriti mjaft shqetësime jo vetëm në Luginë të Preshevës”, përfundon Kamberi, transmeton Titulli.com.
Duhet theksuar se ish kryeministri shqiptar Sali Berisha në postimin e tij në Facebook të para dy ditëve (28 tetor) kishte uruar shqiptarët e Luginës për shpalljen e autonomisë në këtë rajon, gjë e cila ka habitur shqiptarët e këtushëm pasi një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në realitet.
“Një zhvillim historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës! Përfaqësuesit e shqiptarëve shpallin autonominë e Luginës!”.
“Të dashur miq, shqiptarët e Luginës së Preshevës, që janë njëkohësisht qytetarët apo minoriteti më i shtypur në Europë, shpallën mbrëmë në një mbledhje të të gjithë të zgjedhurve të tyre, Autonominë e Luginës, si një reagim legjitim për të garantuar të drejtat e tyre të mohuara nga rregjimi serb dhe në përputhje me Konventën Europiane të Minoriteteve dhe Kartën Europiane të Autonomisë Lokale dhe Rajonale. Shqiptarët e Luginës i janë nënshtruar në këto vite një politike terrori, varfërimi, çpunësimi, që ka synuar spastrimin e tyre etnik”, ka shkruar mes tjerash Berisha. /Titulli.com/