Çfarë pritet të ndodhë pas ekspozimit të luftës në hije Iran-Izrael? Një grua kalon pranë një pankarte me raketa në Teheran më 15 prill 2024.
Rajoni dhe Politika

Çfarë pritet të ndodhë pas ekspozimit të luftës në hije Iran-Izrael?

16.Apr.2024 07:57
0

Sulmi i paprecedent i Iranit ndaj Izraelit mes të shtunës dhe të dielës shënoi ndryshim në qasje për Teheranin, i cili ishte varur nga bashkëpunëtorët në mbarë Lindjen e Mesme që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në tetor. Të gjithë sytë tani janë të përqendruar në atë nëse Izraeli do të zgjedhë të ndërmarrë veprim të mëtejmë ushtarak, përderisa Uashingtoni po synon të përdorë masa diplomatike për të ulur tensionet rajonale.

Irani tha se sulmi ishte në përgjigje të një sulmi ajror, për të cilin gjerësisht ka fajësuar Izraelin, sulm që shkatërroi ato që Irani tha se ishin zyra konsullore të tij në Siri dhe vrau dy gjeneralë të Gardës Revolucionare më herët gjatë këtij muaji.

 

Frikë për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme

Izraeli tha se pothuajse të mbi 300 dronët dhe raketat e lëshuara nga Irani u rrëzuan nga sistemet e tij të mbrojtjes ajrore, me mbështetjen e SHBA-së dhe Britanisë. Si pasojë e sulmeve u raportua se një vajzë u plagos në jug të Izraelit si dhe u raportua për dëme të vogla në një bazë ajrore izraelite, që u godit nga një raketë.

Megjithatë, shefi i Gardës Revolucionare të Iranit e quajti të suksesshëm operacionin.

Irani ka arritur që të krijojë një balancë mes hakmarrjes publike për sulmin në Damask dhe të shmangë provokimin e mëtejmë të veprimit ushtarak izraelit, të paktën fillimisht, një veprim që do të mund të çonte në një konflikt më të gjerë, tha Mona Yacoubian, zëvendëspresidente e qendrës për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Institutin amerikan të Paqes.

“Të dy [Irani dhe Izraeli] në këtë pikë janë në gjendje të shpallin fitore dhe të largohen nga gremina, veçmas për faktin se nuk ka civil izraelit të vrarë”, tha Yacoubian.

Megjithatë, bota po priste rezultatin e takimit të Kabinetit të Luftës të Izraelit të dielën. Izraelitët e linjës së ashpër kanë kërkuar që të ketë përgjigje, por të tjerët kanë kërkuar përmbajtje, duke argumentuar se Izraeli duhet të përqendrohet në forcimin e lidhjeve me partnerët arabë.

“Ne do të krijojmë një koalicion rajonal që Irani të paguajë çmimin, në mënyrën dhe kohën që ne e zgjedhim”, tha Benny Gantz, anëtar i Kabinetit të Luftës.

Analistët thanë e Irani dërgoi mesazhin se ka vullnet që të përshkallëzojë situatën dhe ndryshoi rregullat e tij në luftën në hije që zhvillon me Izraelin.

“Këto ishin të shtëna paralajmëruese, përmes së cilave u tha se nëse Izraeli thyen rregullat, ka pasoja”, tha Mangus Ranstorp, këshilltar strategjik në Universitetin suedez të Mbrojtjes.

 

Sulmi i Iranit ka rritur edhe më shumë frikën se lufta në Gazë mund të shkaktojë kërdi rajonale.

Por, Irani tha se nuk po kërkon një luftë në shkallë të plotë në mbarë rajonin. Ministri i Jashtëm, Hossein Amirabdollahian, shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se Irani në këtë pikë “nuk ka qëllim që të vazhdojë operacionet mbrojtëse”, përveç nëse sulmohet.

Irani theksoi se ka sulmuar ndërtesat izraelite që ishin të përfshira në sulmin në Damask, dhe jo “zona ekonomike” apo civile.

Pasi Izraeli nisi ofensivën e tij në Gazë kundër Hamasit, grupet e mbështetura nga Irani u përfshin ushtarakisht, ndërkaq Teherani qëndroi anash. Grupi Hezbollah në Liban sulmoi me raketa veriun e Izraelit. Rebelët jemenas Huthi sulmuan anijet perëndimore në Detin e Kuq. Një grup ombrellë i milicive irakiane të mbështetura nga Irani sulmuan pozicionet ushtarake amerikane në Irak dhe Siri.

Tani, Teherani “është i gatshëm të rritë çmimin” pa u varur në bashkëpunëtorët e tij, tha drejtoresha e Qendrës Carnegie për Lindjen e Mesme, Maha Yahya.

Deri më tani, Irani ka vepruar vetëm kaq.

“Ata kanë lëshuar paralajmërime të mjaftueshme që tregonin se kjo po vinte dhe mendoj se ata e dinin që [dronët dhe raketat] do të rrëzoheshin para se të arrinin territorin izraelit”, tha Yahya.

Ajo po ashtu tha se presioni në rritje ndaj Izraelit për shkak të sjelljes së tij në Gazë, tani është zhvendosur në shtensionimin e tensioneve rajonale.

Yacoubian tha se Uashingtoni ka një rol të rëndësishëm që të luajë në shmangien e përshkallëzimit të mëtejmë.

 

Ndërmarrja e veprimeve të mëtejme ushtarake nga Izraeli nuk duket një vendim që është popullor në mesin e aleatëve, përfshirë SHBA-në, tha Eldad Shavit, i cili udhëheq Programin Kërkimor Izrael-SHBA, që funksionon në kuadër të Institutit Kombëtar për Studime të Sigurisë.

Zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i tha NBC-së se presidenti Joe Biden nuk dëshiron një përshkallëzim në konfliktin rajonal apo një “luftë të gjerë” me Iranin dhe “personalisht po punon në aspektin diplomatik për këtë çështje”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku-REL
Vuçiq pas ndalimit të Sofronijeviqit: Do të arrestohen të gjithë ata që shkelin rendin kushtetues të Serbisë
Takim i përbashkët: Diskutohet hapja dy paraleleve në gjuhën shqipe në çerdhen “Gëzimi ynë” në Bujanoc
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration