Lokale
Çertifikohen rezultatet e zgjedhjet lokale në Preshevë
Këshilli Komunal Zgjedhor në Preshevë ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për këshilltar të Kuvendit të Komunës së Preshevës, të cilat janë zhvilluar më 06 Maj 2012.
Sipas KKZ-së të drejtën e votës e kanë dhënë 16.027 votues nga territori i komunës së Preshevës, ndërsa të drejtën e votës e kanë pasur 34.686 qytetarë.
Fitues i këtyre zgjedhjeve ka dalë Partia Demokratike Shqiptare, e kryetarit aktual të komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, e cila ka fituar 17 ulëse në kuvendin komunal, nga 38 ulëse sa numëron kuvendi i Preshevës.
Sipas kryetarit të Këshillit Komunal Zgjedhor në Preshevë, Zeqir Miftari në zgjedhjet e 6 majit kanë marrë pjesë 11 lista zgjedhore, ndërsa pjesëmarrjen në kuvendin komunal e kanë fituar vetëm 5 lista zgjedhore, të gjitha nga subjektet politike shqiptare.
Partia Demokratike Shqiptare – Ragmi Mustafa, ka fituar 6.604 vota apo 17 këshilltarë, Partia për Veprim Demokratik – Riza Halimi, 3.799 vota apo 10 këshilltarë, Unioni Demokratik Shqiptar – Rahmi Zulfiu, 2.281 vota apo 6 këshilltarë, Grupimi Qytetarë “ Rilindja Demokratike - Dr.Ramiz Latifi, 1.152 vota apo 3 këshilltarë dhe Bashkimi Dmokratik i Luginës- Dr. Skender Destani, 831 vota apo 2 këshilltarë në kuvendin komunal në Preshevë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!