Bujanoci shënon Ditën e Mësuesit (Foto & Video)
Sikurse në trojet tjera shqiptare edhe në Luginë, përkatësisht në Komunë të Bujanocit, është shënuar 7 Marsi Dita e Mësuesit.Kjo ngjarje me rëndësi kultorore dhe historike për shqiptarët në Bujanoc, me një program të përgatitur u shënua në ambientet e shtëpisë së kulturës, para mësuesve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore e komunale.
Programi filloi me intonimin e himnit kombëtar të përgatitur nga nxënësit e shkollë së mesme “Sezai Surroi” me profesorin Musa Gjymshiti.
“Kjo datë ka zanafillën e hershme që të kujton themelet e hershme të shkollës shqipe në fakt ka filluar që të përkujtohet që nga vitet 1960 kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë të përkujtimit të themelimit të parë të mësojtores”, tha para të pranishmëve Bajram Salihu, arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe pran shkollës fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, raporton Titulli.com.
Salihu theksoi se “armiqtë tanë na mohuan gjuhën, shkrimin, kulturën, historinë...toponimet, pagëzimet, duke na i zhdukur e duke i përvetësuar ato për veten e tyre”.
Nxënësit nga shkollat fillore kishin përgatitur edhe poezi kushtuar mësuesit, ndërsa ata nga shkolla e mesme në Bujanoc, nën koordinimin e profesorit Valon Dalipi shfaqën një program me këngë.
Në fund të manifestimit për të Ditës së Mësuesit, drejtuesit e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi e Jonuz Musliu ndanë mirënjohje mësimdhënësve që gjatë jetës së tyre kontribuuan në arsimin dhe edukimin e brezave të rinj, e që sot janë në pension.
Vlen theksuar se 128 vjet më parë, më 7 mars 1887, në Korçë u hap mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe.
Drejtues të kësaj shkolle ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj.
Urimet për mësuesit karakterizohen me një buqetë me lule, një dhurate simbolike që tashmë e kanë kthyer 7 Marsin në një ditë simbolike feste, jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë./Titulli.com/