Bujanoci humb miliona, stagnon me punime në infrastrukturë
Intervista

Bujanoci humb miliona, stagnon me punime në infrastrukturë

14.Jun.2014 23:32
0

Buxheti i Drejtoratit për Ndërtim, respektivisht i komunës së Bujanocit do të zvogëlohet për së paku 25 milionë dinarë pas largimit nga puna të 17 punëtorëve të cilët gjykata tani po i kthen në punë, duke e vlerësuar vendimin e padrejtë të udhëheqësisë së tanishme të kësaj ndërmarrje publike.

Gjatë një interviste të realizuar me ish drejtorin e Drejtoratit për Ndërtim, juristin Driton Rexhepi, që udhëhoqi këtë ndërmarrje gjatë periudhës 2009-2012, kemi mësuar se paralizimi i kësaj ndërmarrje që po e shohim tani është si pasojë e keqmenaxhimit dhe kolapsit që mbretëron në këtë ndërmarrje.

Titulli: Drejtorinë për Ndërtim e keni udhëhequr gati katër vite, si e shihni funksionimin e kësaj ndërmarrje nga udhëheqësia e re?

Driton Rexhepi:       Drejtoria për ndërtim, për fatin e keq të taksapaguesve, sot, është drejt kollapsit për shkak të  keqmenaxhimit të kësaj ndërmarrje publike. Unë disa herë kam pyetur publikisht, çfarë risie në menaxhim ka pruar kjo udhëheqje?

Kur unë e kam marr detyrën prej pararendësit tim, jam munduar gjatë gjithë kohës të udhëhiqem me konceptin e nikoqirit të mirë, pasi aty shpenzohen pjesa më e madhe e taksave të siguruara nga buxheti. Kreativiteti në menaxhim nënkupton të bësh diçka ndryshe, nga gjendja e deriatëhershme. Përveç veprimtarisë bazë, aso kohe ne kemi funksionalizuar edhe disa veprimtari shtesë në Drejtori. Kemi integruar sistemin e menaxhimit të parkingjeve publike, gjithçka e precizuar, me parapërgatitje të kuadrit ligjor dhe teknik, që sot e kësaj dite, në mesin e komunave të rralla, ky sistem i pagesës në formë elektronike, gjeneron jo vetëm të ardhura për buxhetin, por edhe krijon mundësi punësimi. Para se gjithash veprimtaria ekonomike na ka udhëhequr gjithë kohës.

Kemi siguruar të ardhura shtesë, përmes aplikimeve në fonde të veçanta, për të herë të parë aso kohe, ne çdo vit siguronim dhjetëra milionë dinarë, përmes programeve të punëve publike, angazhonim afërsisht pesëdhjetë punëtor për gjashtë muaj, me kontratë pune ku përveç të ardhurave i paguanim edhe gjitha kontributet përcjellëse, njëkohësisht i kontribuonim ambientit me projekte ekologjike.

T’ju përmendi vetëm dy vitet e fundit, përmes Ministrisë ekonomisë kemi siguruar 20 milionë dinarë mjete shtesë nga fondet e posaçme, për ekzekutimin e këtyre punëve, duke krijuar vende pune sezonale.

Kemi zbatuar  Planin akcional për të rinjtë, të aprovuar nga Kuvendi komunal, sa i përket angazhimit të kuadrove të rinj përmes angazhimit të volunterëve, sikundër mundësimi i stazhit të praktikantëve.

Kemi zgjeruar, veprimtarinë për mirëmbajtje të sinjalizimit horizontal dhe vertikal, normalisht veprimtari me leverdi ekonomike, për një vit shpenzonim afërsisht 3 milion dinarë për këtë veprimtari duke kryer punët përmes firmave private që i kontraktonim, kurse angazhimi përkatësisht zgjerimi me këtë sektor, buxhetin e kursente diku mbi 60 % më pak shpenzime.

Për herë të parë kemi iniciuar, përmes donatorëve integrimin e sistemit GIS, që qytetarët që kryenin parcializime, për tu mos endur herë në shërbimin e urbanizmit në administratë komunale e herë në Drejtorat, përmes këtij sistemi elektronik, gjithçka menaxhohej në formë elektronike dhe kursehej koha dhe rritej efikasiteti i shërbimeve ndaj qytetarëve. Sot, ky projeksion ka dështuar plotësisht, pajisjet elektronike që kishim siguruar donacion, janë jashtë shërbimit.

Inicimi i harmonizimit të planit detal rregullativ me ligjet ekzistuese, si dhe integrimi në formë elektronike,  që qytetarët të siguronin leje lokacioni dhe ndërtimi, gjithçka për afat rekord edhe ate përmes postës elektronike mund ti kryenin këto shërbime, sot e kësaj dite, në mungesë të kuadrove profesionale, jo se nuk ka, por shkaku i diskriminimit mbi baza partiake, po diskualifikon kuadrot profesionale si arkitekt dhe fakti që inxhinierët e bujqësisë emërohen në këto pozita, ka krijuar tollovi dhe joefikasistet në sigurimin e lejeve të ndërtimit, si pasojë e mos njohjes së këtyre profileve.

Sot, për fatin e keq të qytetarëve, Drejtorati është kthyer në pikën zero, jo që nuk është zgjeruar aktiviteti i saj me veprimtari shtesë shërbyese, por edhe veprimtaria bazë është rrezikuar së funksionuari shkaku i keqmenaxhimit dhe paaftësisë profesionale të menaxhmentit.

Në pozita menaxheriale, emërohen në vend të arkitektëve, profile jo adekuate për veprimtarinë bazë të Drejtoratit.

Konkurrenca jolojale për prokurimet me vlerë të vogël, ka favorizuar firma private të afërta me pushtetin, kjo krijon hapësirë për korrupsion.

Favorizimi i organit mbikëqyrës për ekzekutimin e punëve në teren, gjithashtu po sjellë dëme të pariparueshme tek investimet. Jokualiteti i punës, qoftë investimet në infrastrukturë rrugore, apo projekte tjera, po rikrijon shpenzime shtesë, sot kryhet një punë në teren, nesër, si pasojë e kualitetit të dobët, duhet të riparohet i njejti investim. Kjo praktikë po shënon rritje të dukshme në teren, si pasoje e “miqësive” të krijuara mes organit mbikëqyrës, punëkryesit dhe Drejtoratit.

Nepotizmi dhe hakmarrja mbi bazë të përkatësisë politike, sot ka shënuar nivel të papërballueshëm për të punësuarit në Drejtoratit.  Kuadrot shqiptare me kualifikime superior sot degradohen duke iu ndërruar vendin e punës dhe angazhuar në pastrimin e rrugëve, femrat shqiptare sot nënçmohen dhe poshtërohen, Kujt i bën nderë ky veprim menaxherial???

 

Titulli: Pasi largimit tuaj nga drejtuesi i kësaj ndërmarrje, qeverisja e tanishme lokale ju kanë akuzuar se keni punësuar një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve. Cila është e vërteta këtu?

Driton Rexhepi:       E vërteta është relative, jo që pak kemi punësuar kuadro shqiptare, kemi pasur hapësirë edhe më shumë të rinj të inkuadrojmë, sepse proporcionaliteti mes bashkësive etnike të të punësuarve në institucionet lokale sot e kësaj dite është në disfavor të shqiptarëve.

Jemi ballafaquar me problemet rreth njohjes së diplomave të Universitetit të Prishtinës, përndryshe, Drejtorati ka mundësi dhe jo vetëm edhe për dhjetë arkitekt dhe inxhinier ndërtimtarie. Kjo për arsye, se vetëm pagesa për projekte që kontraktohet përmes firmave private, shkakton shpenzime të panevojshme, duke angazhuar kuadro prej komunave fqinje. Arkitektët që i kemi angazhuar në aso kohe, sot janë në studime posdiplomike në universitete Evropiane me prestigj ndërkombëtar.

Si mund të banalizohet ideja, që ne nuk kemi nevojë për këto kuadro, kurse byrotë projektuese në vendet Evropiane inkuadrojnë në punë këto kuadro.

Ajo që më vije keq, se ne me vetëdije të plotë, për teke personale, këto kuadro në vend që ti avancojmë, ne po i largojmë, bile edhe po i zëvendësojmë me shkollarë fillor pa kualifikime. Për një gjë më vije keq, pse ne nuk e mësojmë njëherë e mirë që pavarësisht përkatësisë politike, më të mirët të avancohen, në vend që ti largojmë dhe degradojmë. Ky mentalitet i mbrapsht i kësaj udhëheqësie, do të ketë kosto të lartë për ne shqiptarët.

Një kohë të gjatë propagohej se ka tepricë teknologjike të të punësuarve në Drejtorat, unë po pyes thjeshtë si ka mundësi arkitekti, inxhinieri i ndërtimtarisë, ekonomisti i diplomuar, juristi, të jenë tepricë teknologjike, pas dy jave punësohen filloristë, profesor, familjar të pushtetarëve.

Nëse të parët kanë qenë tepricë, këta të dytët çfarë janë???

 

Titulli: Disa nga punëtorët e larguar nga drejtoria për ndërtim, janë rikthyer në punë pas një procesi të gjatë ankese në gjykatat përkatëse në Serbi. Çfarë ka humbur drejtoria për ndërtim dhe buxheti i qytetarëve të komunës së Bujanocit në këtë rast?

Driton Rexhepi:       Edhe përkundër, paralajmërimeve me shkrim, nga ana e shërbimit juridik të Drejtoratit, se largimi i punëtorëve është kundërligjor, hakmarrja politike e orkestruar nga partia në pushtet, gradualisht po merr përfundimin. Prishja e statusit të marrëdhënies së rregullt të punës 17 punëtorëve, të gjithë shqiptar, Drejtorati deri në përfundim të proceseve gjyqësore do t’i kushtojë afër 25 milionë dinarë, shkurt i bie 50 % e pozicionit të buxhetit për investime kapitale.

Gjithë punëtorët po kthehen në punë, gjykatat po ia vërtetojnë marrëdhënien e punës me status të përhershëm pune, por se qytetarët nga buxheti i komunës do duhet t’i shkurtohen të drejtat për këtë vlerë si pasojë e tekeve për hakmarrje politike.

Çfarë nikoqirllëku është kjo, menaxheri i mirë i sjell dobi qytetarëve, rritë efikasitetin e shërbimeve, vetëm tek ne ndodhë që krijohen shpenzime angari?!

 

Titulli: Në opinionin e këtushëm qarkullon teza se investimet e mëdha nga qeverisja lokale e tanishme po orientohen në malësinë e Bujanocit dhe vendbanimet serbe, ndërsa infrastruktura në qytet dhe fshatrat tjerë për rreth është lënë anash. Si i vlerësoni këtë?

Driton Rexhepi:       Mund t’ju them me siguri, se investimet në Malësinë e Bujanocit janë projekte që ne i kemi filluar dhe kemi avancuar pagesën. Për dhjetëra vite rruga e Breznicës, Muhocit, as që ka guxuar të mendohet se jo të asfaltohet.

Më kujtohet si sot, kemi hequr të zinjtë e ullirit sa kemi siguruar lejen për asfaltim të korsisë regjionale Tërnoc-Muhoc nga Drejtoria republikane për rrugë në Beograd.

Unë pyes pse në vitin 2002-2008 nuk është siguruar projekti dhe leja për ndërtim e kësaj korsie? Aso kohe kemi mundur të ndalojmë sadopak shpërnguljen e Malësisë së Bujanocit, sot kjo rrugë ende pa u përuruar është shkatërruar?!

Ajo çfarë kam parë me siguri, në raportin 6 mujor të vitit 2013, për një ditë janë firmosur 17 kontrata për investime në vendbanimet serbe si në Banjë të Bujanocit, Baralevc, Kërshevicë, Karadnik, Llopardincë,  Rakoc, Spancevc,  Klenik, …

Këtë e vërteton edhe deklarata e nënkryetarit komunës S. Arsiq dhënë agjencise jugpress: “nuk do të tolerojmë që investimet mbi 95 %, të realizuara përmes Drejtoratit të shkojnë në vendbanimet shqiptare…” Unë pyes sa shkolla janë rinovuar për këto dy vite? Sa mjete të taksapaguesve janë alokuar për ndërtimin dhe financimin e ngritjes së objekteve fetare ortodokse? Dhe sa është çmimi i vërtetë i këtij koalicioni multietnik?

Në uebportalin tuaj kam lexuar shkrime se si qytetarët mbushin gropat me rërë për t’i bërë te kalueshme rrugët lokale, kurse përgjegjësit heshtin, sepse mjetet i kane dërguar në riparimin e kishave dhe varrezave serbe.

Mustafa: Rama të kërkojë njohjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginë
Anëtarësimi i Turqisë nuk do ta ngarkonte BE-në
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration