Lokale
Bujanoci 110, Presheva 60 ankesa për shkelje të të drejtave (foto)
Në sallën e vogël të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc sot është mbajtur tryezë e rrumbullakët e organizuar nga Avokati i Popullit i Republikës së Serbisë, Sasha Jankoviq.
Në këtë tryezë ku në qendër të diskutimeve ishin të drejtat e qytetarëve dhe marrëdhëniet e mediave me Avokatin e Popullit morën pjesë përfaqësues të mediave lokale dhe rajonale.
Sasha Jankoviq, mbrojtësi i qytetarëve dha një raport për atë se çfarë është punuar nga zyrat e hapura në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Sipas tij ankesat e qytetarëve nga ky rajon janë si të gjithë qytetarëve të Serbisë, me theks të veçantë të varfërisë së madhe që mbretëron në këtë pjesë.
“Them se ekziston një ngarkesë për marrëdhëniet ndëretnike, ku multietniciteti shihet si problem dhe jo si avantazh, dhe se shumë vështirësi shihen si rezultat i shumë etnive, dhe në fakt nëse shikohet në mënyrë më të detajuar nuk del se është ashtu”, tha me këtë rast Jankoviq, raporton Titulli.
Në Rrethin e Pçinjës janë paraqitur 456 ankesa formale nga qytetarët, ndërsa numri i tyre që i është drejtuar Avokatit të Popullit, Sasha Jankoviq, është 10 herë më i madh.
Në këtë Rreth ankesa më së shumti kishte nga komuna e Vranjës, gjithësjet 150, Bujanoc-110, Surdulica-62, Presheva-60, Vlladicin Hani-39, Bosilegradi-32, dhe Trgovishta tri ankesa.
Nga 456 ankesa sa janë parashtruar, 374 janë përfunduar, ndërsa edhe 82 të tjera janë në procedurë.
Ankesat më së shumti ishin nga fusha e ekonomisë, sociale, kulturore, diskriminim politikë, ndërsa ankesa nga fusha e të drejtave të pakicave kombëtare ishin 16 % e numrit të përgjithshëm.
Rreth ushtrimit të të drejtave të qytetarëve dhe mediave në nivel lokal foli kryetar i Kuvendit Komunal në Bujanoc Hajredin Hyda.
Ai tha se qeveria lokale si themeluese e Radio Televizionit Bujanoci ka vendosur që për vitin e ardhshëm këtij mediumi publik ti ndajë 33 milion dinarë, ndërsa për mediat tjera që janë të pavarura, 6 milionë dinarë.
Hyda tha se komuna që ai përfaqëson është nga të rallat që ndajnë mjete edhe për mediat e pavarura.
Ai shfrytëzoi rastin që të kërkojë nga gazetarët raportim të drejtë të ngjarjeve.
“Kërkojmë që gazetarët të raportojnë për gjendjen reale duke mos zmadhuar gjërat”, është shprehur mes tjerash Hyda.
Në tryezën e sotme përveç gazetarëve morën pjesë edhe Nikollas Herkulles nga PBILD-i, Sllobodan Drashkoviq, kryetar i Komunës së Medvegjës, si dhe përfaqësues tjerë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!