Lokale
Bujanoc: Autostrada që pengon bujqit (video)
Banorët e komunës së Bujanocit që kanë pronat e tyre afër autostradës, në korridorin 10, nuk mund ti punojnë arat e tyre.
Të sanksionuar janë kryesisht banorët e fshatit Borovc, Samolicë, Nesalcë, Letovicë, të cilët nuk mund të kalojnë me mjetet bujqësore matanë autostradës për të punuar tokën bujqësore.
“Me ndërtimin e autostradës nuk mund të kalojmë në anën e tjetër me mjete ndihmëse për të punuar tokën, e sidomos me vendosjen e mbrojtësve në autostradë”, tha për Titullin Stanisha Stoshiq, banor i fshatit Borovc.
Ai po ashtu theksoi se është ndërtuar nënkalimi, mirëpo është i pashfrytëzueshëm për shkak të ujit që mblidhet në te.
“Nuk mund të kalohet në nënkalim. Një bashkëfshatarë e provoi këtë por mbeti me traktorë pasi nënkalimi është i mbushur me ujë deri në 1,5 metra. Jam e detyruar që të punojë vetëm me forcë njerëzore dhe assesi nuk mund të kalojmë në anën tjetër me makineri bujqësorë. Kërkojmë një zgjidhje nga organet kompetente”, u shpreh Stoshiq.
Edhe Alleksandar Dejanoviq nga Bujanoci, asistent nga Ministria e Bujqësisë, tha se ndërtimi i kësaj autostrade i ka pamundësuar punën shumë banorëve që kanë pronat e tyre në anën e tjetër të saj.
“Vërejtjet e banorëve të fshatit Borovc janë me vend. Për këtë nënkalim në të ardhmen do të duhet të gjendet një zgjidhje, si nga drejtorati njashtu edhe nga përgjegjësit që merren me këtë trase”, tha Dejanoviq duke shtuar se njerëzit që dëshirojnë të kalojnë nëpër këtë nënkalim do ta kenë të pamundur nga uji, kurse nëse tentojnë ta kalojnë autostradën i rrezikohet siguria personale.
Banorët nga vendbanimet e lartpërmendura që dëshirojnë t’i punojnë tokat e tyre me ndihmën e makinerive bujqësore, janë të detyruar që të përshkojnë disa kilometra deri sa të vijnë te ndonjë mbikalim për të dalë në anën tjetër të autostradës, ku edhe janë pronat e tyre./Titulli.com/
http://www.youtube.com/watch?v=Heb-l9bovgc
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!