Lokale
Beqiri qëndron në Tiranë, kërkon njohjen e diplomave pa nostrifikim (video)
Të rinjve shqiptarë në Luginën e Preshevës nuk u njihet diploma e studimeve të larta të kryera në universitetet e Shqipërisë. Kërkohet zbatimi i marrëveshjes për njohjen e diplomave shqiptare të cilat janë njehsuar në të gjitha vendet e botës.
Dhori Kule, Rektor i Universitetit të Tiranës tha se problemi i njohjes së diplomave tona nuk është problem i karakterit akademik, problemi është i karakterit tjetër, i karakterit politik për të cilin edhe ne si akademikë i bëjmë thirrje politikës të ofrohet me afër botës akademike që është gjithëpërfshirëse, raporton TCH, transmeton Titulli.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Galip Beqiri, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë kërkoi njohje të ndërsjellta të diplomave.
"Të pranohen edhe diplomat e Serbisë, por edhe diplomat e Shqipërisë në Luginën e Preshevës që të rinjtë tanë të mos kenë problem me respektimin e diplomave. Qëllimi ynë është që kjo procedurë të shkurtohet dhe të pranohen diplomat ashtu si janë pa u nostrifukur, pasi bëhen shpenzime të mëdha për ta kryer nostrifikimin", tha ai.
Ndërsa Shpëtim Çaushi, Ambasador shqiptar në Serbi shpjegoi se "shqiptarët në Luginë kanë vështirësi që t’i merret në konsideratë arsimimi që kanë marrë dhe vështirësitë krijohen edhe në punësimin e tyre".
Në Luginën e Preshevës të paktën 89 % e popullsisë është shqiptare dhe shumica e të rinjve shkollohen në Tiranë ose në Prishtinë. Mosnjohja e diplomave shkakton një ngërç të madh në punësimin e tyre.
Drejturesi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë tha se ka probleme me pajisjen e shkollave me tekste shqiptare, por edhe me trajnimin e stafit pedagogjik. Për përmirësimin e kësaj situate kërkohet një bashkëpunim i vazhdueshëm me Tiranën zyrtare. /Titulli.com/
http://youtu.be/UAEfZQyaHLU
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!