Beograd: Protestë në mbështetje të serbëve të Kosovës
Qindra njerëz janë mbledhur të hënën në Beograd, për të protestuar “si shenjë mbështetjeje për serbët” në Kosovë.
Protesta është zhvilluar përpara Kishës Shën Sava.
Thirrja për protestë është bërë e ditur në rrjetin social Telegram, te kanalet e disa organizatave të krahut të djathtë në Serbi.
Një prej organizatorëve - me maskë në fytyrë - i ka thënë audiencës se nuk dëshiron të bëjë të ditur identitetin, por është nga Kosova.
Ai i ka thënë turmës se nuk dëshiron “Asociacion të komunave me shumicë serbe” dhe që Kosova është pjesë e Serbisë.
Protestuesit kanë kënduar këngë për Kosovën dhe këngë nënçmuese për shqiptarët në Kosovë.
Ata kanë bërtitur “serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë” si dhe “jo ndasive, Kosova është pjesë e Serbisë”.
Ata kanë bartur flamuj të Serbisë dhe Rusisë, si dhe mbishkrimet “Kosova nuk dorëzohet”.
Protestuesit kanë lëvizur edhe te rrugët e qendrës së qytetit, të cilat janë mbyllur për trafikun.
Ata e kanë djegur flamurin e Kosovës përpara Presidencës së Serbisë.
Protestuesit më pas kanë thënë se janë në pritje “të përgjigjes së shtetit”.
Protestat në Beograd janë mbajtur në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.
Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Kjo ishte përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë.
Atij më vonë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se edhe Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje po ashtu thirrje për largimin e barrikadave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “është i tronditur me deklaratat e disa zyrtarëve evropianë që kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave”. “Askush prej Beogradit nuk i ka urdhëruar barrikadat”, ka thënë ai.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar ndërkohë se një patrullë e tij vëzhguese në Rudarë - pjesa veriore e Kosovës - është sulmuar me shok-bombë mbrëmjen e 10 dhjetorit nga, siç është thënë, persona të armatosur. Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar këtë sulm.
Sulme ka pasur edhe mbi Policinë e Kosovës, ashtu si edhe disa shkëmbime me armë zjarri.
Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi./REL/