Begaj: Mbështesim dialogun me Serbinë, me kujdes ndaj integritetit të Kosovës
Begaj mbrëmjen e së mërkurës në ceremoninë e pritjes së përfaqësuesve të Trupit Diplomatik në Shqipëri, ka folur edhe për rrezikun për konflikt në Ballkan, që sipas tij, kanosej nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës.
“Nuk kam ndërmend të kaloj heshturazi mbi rrezikun që i kanosej Ballkanit deri para pak ditësh, prej provokimeve me barrikada në veri të Kosovës. Nuk mund të them nëse provokimi me barrikada të vendosura nga elementë me të shkuar kriminale dhe tentativa për ndërhyrje aktive në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë, ka të bëjë me një logjikë agresioni të ngjashëm me skenarin në Ukrainë. Por një gjë është e qartë, çdo acarim në Ballkan i shërben shpërndarjes së vëmendjes dhe të forcës euroatlantike. Pra, i shërben agresorit”, është shprehur Begaj.
Presidenti Begaj në fjalën e tij shprehu edhe një herë vendosmërinë e Shqipërisë për të mbetur në krah të Ukrainës, e aktivisht pjesë e bashkëpunëtore e aleancës euroatlantike.
“Shpresa jonë është që konflikti të marrë fund dhe agresori të zërë mend, duke kuptuar se kemi mjaft sfida për të përballuar globalisht, dhe luftërat e hapura të integritetit të vendeve e popujve nuk duhet të jenë pjesë e këtyre sfidave”, ka thënë Begaj.