Lokale
Arifi: Në shkolla kuadro “vetëm” nga Bujanoci (video)
Kryetari i komunës së Bujanocit të premten ka zhvilluar një takim me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të kësaj komune ku është raportuar për përgatitjet me rastin e fillimit të vitit të ri shkollorë.
Në mbledhjen e cila zgjati më se tre orë e gjysmë kryetari Nagip Arifi në mes tjerash i përcolli drejtorëve disa nga rregullat rreth punësimit të kuadrove joprofesionale që do të vlejnë nga ky vit shkollorë.
Ai i tha udhëheqësve të institucioneve arsimore se nga shtatori në shkollat e Bujanocit duhet të punësohen kuadro nga kjo komunë, e jo të sillen nga Vranja, Presheva dhe vende tjera, më përjashtim të atyre që kanë vendim në kohë të pacaktuar.
“Në shumë shkolla si në ato fillore dhe të mesme ende nuk kemi kuadër profesional për të angazhuar në procesin arsimor dhe ramë dakord që kuadri i cili nuk është profesional nuk mund të angazhohet nga komunat tjera, por do të angazhohen të gjithë nga komuna e Bujanocit”, tha Arifi në këtë takim.
Ai po ashtu sqaroi arsyen e marrjes së këtij vendimi. “Duhet të kemi kujdes që ti japim përparësi kuadrove nga Bujanoci dhe ti largohemi harxhimeve materiale apo udhëtimit, disa shkolla në procesin edukativo arsimor kanë angazhuar persona joadekuatë nga komunat tjera”, theksoi Arifi duke thënë se në të ardhmen kjo nuk do të ndodhë.
“Drejtorët kanë marrë obligim që ato kuadro të angazhohen nga komuna e Bujanocit, me përjashtim të kuadrove të cilët kanë vendim të përhershëm, si nga Vranja, Presheva, Kamenica apo Gjilani”, tha Arifi.
Përveç kësaj, në takim, drejtorët raportuan për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor. U konstatua se kushtet për zhvillimin e mësimit janë të mira, me përjashtim të disa paraleleve në malësinë e Bujanocit, konkretisht në fshatin Çarr.
I pari i komunës i ka njoftuar drejtorët e shkollave fillore se nga dita e martë do të bëhet shpërndarja falas e Abetares gjithëkombëtare./Titulli.com/
Kronika e mëposhtme është marrë nga Televizioni Bujanoci
http://youtu.be/Bk9AVMhJaR4
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!