Arifi kritikon Kurtin: S’ka reciprocitet siç premtoi
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka përshëndetur rezultatet e së hënës në dialogun e mbajtur në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarëve evropianë, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Edhe pse e ka mirëpritur atë se çfarë është dakorduar të hënën, Arifi ka thënë se nuk ka reciprocitet ashtu siç ka premtuar Kurti.
Ai ka përmendur edhe Luginën e Preshevës, duke thënë se nga ajo që janë pajtuar nuk është përmendur askund kjo zonë.
“Ne, shqiptarët e Luginës së Preshevës, përshëndesim marrëveshjen e djeshme në Bruksel. Por, nuk ka reciprocitet siç premtoi Kurti, nuk përmendet askund në marrëveshje Lugina e Preshevës dhe asnjë garanci nga Serbia për të ndalur diskriminimin dhe pasivizimin e adresave. Urime të gjithëve! Zoti na ndihmoftë”, ka shkruar Arifi në Facebook.
Siç është shprehur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, të hënën pas takimeve të mbajtura në Bruksel, liderët e të dyja vendeve janë pajtuar që nuk duhen diskutime sa i përket planit evropian dhe se janë të gatshëm për të vazhduar me implementimin e marrëveshjes.
Një takim tjetër i nivelit të lartë është paraparë të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.