Analizë: Si ndodhi që Thaçi dhe Vuçiq të flasin pabesueshmërisht ngjashëm?
Strategjikisht Serbia e ka shënuar fitoren e parë në momentin që tema e tyre e ndarjes dhe shkëmbimeve të territoreve është pranuar nga Kosova që të diskutohet. Është naive të besosh se palët nuk kanë qëllime tjera strategjike që dëshirojnë të arrijnë pas pazarit të kufijve dhe krijimit të precedentit të parë mes Kosovës dhe SerbisëDeklarata e Presidentit të Kosovës për shkëmbim territoresh me Serbinë gjatë konferencës së përbashkët me përfaqësuesit shqiptarë nga Presheva dhe Bujanoci në Prishtinë më 26 korrik ka tronditur opinionin e gjerë publik shqiptar. Jo që tema e shkëmbimit të territoreve ishte një gjë e panjohur për ne, por ishte hera e parë që kjo deklaratë ‘bombë’ lëshohej nga një përfaqësues aq i lartë i shtetit të Kosovës. Tronditjen e shtoi edhe më tepër dramaticiteti i tërë ngjarjes, mënyra e organizimit të konferencës për media, por gjithsesi edhe hutia evidente, në masë e kuptueshme, e përfaqësuesve nga Lugina, të cilëve vazhdimisht u është thënë gjatë gjithë këtyre viteve nga të gjitha anët se duhet të angazhohen për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve brenda sistemit politik dhe legjislativ të shtetit serb.
Tani të gjithë ne jemi dëshmitarë të debatit në opinion të Presidentit Thaçi kundër gjithë të tjerëve, ku edhe nuk mungojnë fyerjet e tij ndaj figurave politike dhe gazetarëve në Kosovë, të cilat kanë çdo të drejtë legjitime të gjurmojnë dhe të dinë më shumë për idenë e “korrigjimit të kufijve” në Ballkan.
Ndarja e territoreve apo ndarja e Kosovës në pjesën shqiptare dhe serbe nuk ka qenë asnjëherë tabu temë në skenën politike dhe mediatike në Serbi. Ministri serb i punëve të jashtme Ivica Daçiq ka folur hapur për këtë temë për shumë vjet. Zyrtarët tjerë serbë për një kohë të gjatë kanë folur rreth kësaj teme me një gjysëmzëri. Presidenti serb Vuçiq si duket dje më 9 gusht i hoqi të gjitha maskat e politikës serbe karshi kësaj çështje. Ai dje gjatë një vizite në Shid, qytet në kufi me Kroacinë, e tha troç se ai është për caktim të kufijve me shqiptarët njëherë e mirë. Për më tepër, ai tha se nuk është mirë të “kemi territore që nuk dihen se kujt i përkasin, meqë ato mund të shndërrohen në të ardhmen në burim jostabiliteti”.
Shumë vëzhgues në Kosovë e në opinionin e gjerë shqiptar, por besa edhe në opinion opozitar në Serbi, kanë mbetur të habitur se çfarë ka ndodhur që Thaçi dhe Vuçiq flasin në sinkron për temën e kufijve. Si është e mundur që dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të flasin pabesueshmërit ngjashëm, duke përdorur të njëjtat fraza, si p.sh “korrigjim/caktim kufijsh”, “kompromis i dhimbshëm” etj. Çfarë donë të thotë kjo? Mos vallë ata janë marrë vesh për shkëmbimin e territoreve dhe tani ka ardhur kohë të bindin opinionet e vet në shtëpi? Apo po përgatisin opinionet për një marrëveshje për shkëmbim territoresh në të ardhmen për parimet e së cilës veçse janë dakorduar?
Më shumë gjasë të dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë dakorduar për ndonjë gjë, por kjo asesi nuk do të thotë se qëllimet e Thaçit dhe Vuçiqit në këtë pazar, e në fund të fundit qëllimet shqiptaro-serbe, janë të njëjta. Strategjikisht Serbia e ka shënuar fitoren e parë në momentin që tema e tyre e ndarjes apo shkëmbimeve të territoreve është pranuar nga Kosova që të diskutohet. Është naive të besosh se palët nuk kanë qëllime tjera strategjike që dëshirojnë të arrijnë pas pazarit të kufijve dhe krijimit të precedentit të parë mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimet strategjike të Kosovës janë më pak të njohura edhe për shkak të refuzimit kategorik të deritanishëm për të biseduar rreth kësaj teme me Serbinë si dhe zhvillimeve të brendshme të vendit, ku edhe nuk kanë munguar problemet e shumta të shtet-ndërtimit. A mund Kosova të kërkojë bashkim me Shqipërinë apo bashkëngjitje të pjesëve shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi me Kosovën pas pazarit të parë të territoreve? A do të kishte Kosova fuqi të shtynte këtë agjendë dhe të dilte fitimitare kur dihet se Mali i Zi dhe Shqipëria janë në NATO, ndërsa Maqedonia në proces e sipër të integrimit të plotë. Në fund të fundit, a është në interesin e Kosovës të krijonte një kaos rajonal dhe zhvillim antieuropian kur haptas është deklaruar, më një përkrahje masive në popull, për integrimet euroatlantike?
Qëllimet strategjike serbe në pazarin e kufijve janë disi më të qarta edhe për shkak të faktit se politika serbe ka folur për një kohë të gjatë rreth kësaj teme. Pazari i radhës serb me siguri do të jetë Republika Srpska në Bosnje, e cila tani më është shtet në shtetin e Bosnjës. Ambiciet serbe kundër integritetit territorial të Bosnjës janë të njohura dhe politika serbe punon aktivisht për bashkimin e Srpskes me Serbinë. Targeti i radhës serb pas Bosnjës mund të jetë Mali i Zi, i cili ka bërë një ndarje të madhe me Serbinë në shumë procese në dhjetëvjeçarin e fundit. Pakica e madhe serbe në Mal të Zi është aktivisht duke luajtuar rolin e “kolonës së pestë” të Serbisë në ketë vend dhe shpejt mund të trazohet dhe të krijojë probleme.
Njerëzit assesi nuk duhet të harrojnë edhe rolin e madh dhe agjendën ruse në Serbi. Shtrirja e ndikimit rus ne Serbi është shumë i madh në të gjitha sferat e jetës politike, shoqërore dhe ekonomike. Kundërshtimi rus ndaj zgjerimit të NATO, por edhe në masë gati të njëjtë ndaj zgjerimit të BE-së, në Evropën juglindore ka qenë i përhershëm. Rusia, e në kohën e fundit edhe aleati i saj i afërt Turqia, duan të ruajnë me çdo kusht ndikimin e tyre në Evropën juglindore, të cilën e konsiderojnë zonë të influencës së tyre. Kaosi i mundshëm që mund të krijoj pazari i kufijve në Ballkan do ta largonte definitivisht rajonin nga EU e NATO, dhe përfundimisht do ta zhyste nën ndikimin rus dhe turk. Pastaj do i mbetej Rusisë dhe Turqisë të ndanin sferat e ndikimit të tyre në popullsitë ortodokse dhe myslimane të Evropës juglindore. Nën një skenar të tillë shanset tona, që një ditë të bëhemi anëtarë të ‘klubit’ të BE-së, do të zhdukeshin përgjithmonë.
Kjo analizë (2) është bërë për redaksinë e Portalit Informativ- Titulli.com në Bujanoc, medium që përmes projekteve të ndryshme vazhdon të kontribuojë në avancimin e pozitës së përgjithshme të shqiptarëve në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.