Ambasadori britanik në Serbi Ferguson: S’ka zgjidhje të lehtë për çështjen e Kosovës
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Edward Ferguson, tha se situata në Ballkan është e brishtë.
Ai në një intervistë për Kuririn serb ka shtuar se të gjithë kanë shpresuar për një progres pozitiv në procesin e dialogut Kosovë-Serbi por sipas tij në vend të kësaj janë parë vetëm tensione.
Ferguson theksoi se Britania e Madhe po i përcjell me vëmendje ngjarjet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe shtoi se Serbia ka përgjegjësi të veçantë të punojë për paqen dhe sigurinë, përcjellë Kosovo Online, transmeton Klankosova.tv
“Të gjithë shpresonim se deri tani do të shihnim disa hapa konkretë, pozitivë përpara, të cilët do të ndihmonin në uljen e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në vend të kësaj, ne kemi parë tensione në rritje, të cilat kanë çuar në lëndime serioze të pjesëtarëve të njësive të KFOR-it, të cilët të gjithë pajtohen se veprojnë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Ata që janë përgjegjës për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi dhe qeveritë në Beograd dhe Prishtinë duhet të punojnë më shumë për të qetësuar situatën”.
Ambasadori britanik në Beograd shtoi se nuk ka zgjidhje të lehtë për çështjen e Kosovës.
“Natyrisht, nuk ka përgjigje të lehtë, por në fund do të kërkohen zgjedhje të vështira dhe gatishmëri për kompromis”.