Ambasadori amerikan në Serbi: Mirë që u inkuadruan zyrtarët e lartë evropian në dialogun Kosov-Serbi
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, është shprehur i gëzuar për përfshirjen e zyrtarëve të lartë evropian në dialogun Kosovë-Serbi, duke aluduar në përfshirjen e Francës dhe Gjermanisë dhe angazhimin e tyre për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.
Ai ka thënë se ka ende punë për t’u bërë.
“Ka ende shumë punë për t’u bërë, por përshëndes përfshirjen e zyrtarëve të lartë europianë në proces, të cilët dëshirojnë ta iniciojnë atë dialog”, tha Hill për mediat serbe.
Hill ka folur edhe për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, duke shtuar se kjo ka një ndikim të madh dhe negativ në situatën energjetike në Serbi.
“Ne të gjithë e dimë për këto vështirësi, por mendimi im është se Serbia e kuptoi se duhej të largohej (nga Rusia) dhe mendoj se po shohim përparim, se Serbia po bën atë që duhet të bëjë. Përparim u pa edhe në Nju Jork, kur Serbia iu bashkua 145 vendeve të tjera për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj fqinjit të saj”, theksoi ambasadori amerikan.
Ai ka thënë se do të bashkëpunojë “më shumë se kurrë më parë” me Serbinë.