Aktorja Egzona Salihu thotë se e larguan për inate politike, drejtori Sadriu kundërpërgjigjet: Nuk respektoi kodin e punës
Aktorja Egzona Salihu është larguar nga puna në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, me arsyetimin se nuk respektoi orarin e punës.
Salihu, kishte pranuar të punësohet formalisht si ndriçuese, në mënyrë që t’i mundësohet aktrimi atje, meqë Serbia nuk ia njihte diplomën e Universitetit të Prishtinës.
Salihu për Gazetën Insajderi ka thënë se arsyeja e vërtetë e largimit ka qenë për inate personale politike, derisa tha se që nga emërimi i Kujtim Sadriut në postin e drejtorit në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë është përballur me padrejtësi.
“Po me kanë larguar me arsyetimin e mos respektimit të orarit. Datat të cilat janë përdorur në atë vendim kam arsyetim po këto janë përdorur vetëm për ta kryer qëllimin e tij që ka qenë gjithmonë largimi im nga puna. Arsyeja e vërtet e largimit ka qenë inate personale politike sepse unë përballem me probleme dhe padrejtësi me shume se një vit që nga emërimi i këtij drejtori“, u shpreh Salihu.
Deklaratës së aktores iu kundërpërgjigj drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Kujtim Sadriu.
Sadriu për Insajderin tha se arsyeja e vetme e largimit është mosrespektimi i orarit.
“Ndërprerja e kontratës nuk ka të bëjë absolutisht me politikë. Nga puna është larguar për arsye të mos respektimit të kodit të punës dhe sjelljeve që ka pasur.
Vlen të theksohet se Egzona Salihu është e punësuar nga pushteti i Shqiprim Arifit, tre vjet më parë“, tha ai.