Lokale
Aksioni në Bujanoc, me art kundër përdorimit të mjeteve piroteknike
Shtëpia e kulturës në Bujanoc fillon fushatën sensibilizuese njëjavore kundër përdorimit të mjeteve piroteknike.
Ky aksion njëjavor do të zhvillohet kryesisht nëpër shkolla me qëllim të edukimit të brezave të rinj duke i sqaruar pasojat eventuale nga shpërthimi i mjeteve plasëse (petardë, fishekzjarre etj.).
“Qëllimi i këtij aksioni është zvogëlimi i pasojave në shëndetin e qytetareve. Për të pasur rezultate pozitive aksioni në fjalë, lypset që kësaj fushate sensibilizuese t’i bashkëngjiten edhe institucionet lokale, arsimore, shëndetësore dhe ato të sigurisë”, thuhet në njoftimin e organizatorit, transmeton Titulli.
Gjatë fushatës sensibilizuese nga rreziku i këtyre mjeteve shpërthyese do të zhvillohen këto aktivitete: Spoti televiziv (pasojat nga shpërthimet), afishe sensibilizuese, ligjërata nga mjekët, ekspozite me punime për pasojat që sjellin materialet plasëse si dhe shfaqje të dramës interaktive për fëmijë.
“Në përfundim të takimeve që do të organizohen gjatë fushatës, nga të gjitha institucionet, individët ose grupet, do të duhej të vendoset një afat kohor i përdorimit të këtyre lëndëve plasëse . Gjithashtu të merren masa edhe ndaj shitësve”, shkruan në njoftimin e Shtëpisë së kulturës, ku si iniciues i këtij aksioni është aktivisti nga Tërnoci, Nagip Taipi.
Me këtë rast kërkohet ndalimi i shitjes së mjeteve piroteknike personave nën moshën 18 vjeçare, ndërsa fëmijëve nën moshën 14 vjeçare t’u ndalohet përdorimi i këtyre mjeteve nëse nuk kanë përkujdesje prindërore.
Mjetet piroteknike zakonisht përdoren nga të rinjtë në shënimin e ndërrimit të viteve. Në shumë raste ato kanë rezultuar fatale duke lënë fëmijë pa gjymtyrë të trupit./Titulli.com/
http://www.youtube.com/watch?v=gUVzxM-TB-Y&feature=share&list=UU3KTHYAr-vLJGTRrgHLpN-Q
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!