Agjenturat antishqiptare dhe misioni i tyre në Luginë të Preshevës (1)
Agresiviteti i agjenturave të ndryshme të huaja antishqiptare, nuk ka pushuar së vepruari asnjëherë në Ballkan dhe gjithandej në trojet shqiptare, duke përfshirë edhe fokusin e interesimit të tyre në diasporën shqiptare gjithandej në botë, e sidomos tek shqiptarët në Luginë të Preshevës, të cilët aktualisht janë në kuadër të Republikës së Serbisë.Ky agresivitet mori hov të madh me shpërbërjen e perandorisë së ish Bashkimit Sovjetik (BRSS-së) nga "Perestrojka" e Mihail Gorbaçovit, që fillimisht kishte për qëllim reformimin e botës socialiste ruso-sovjetike, por përfundoi si një godinë e kalbur dhe u shpartallua tërësisht, ashtu si Perandoria Osmane gati një shekull më parë.
Meqë në fund të shekullit XX, kjo Perandoria pansllaviste e komuniste Sovjetike, e mbështetur në ideologjinë marksiste-leniniste, pra komuniste, me kohë e kishte humbur betejën ekonomike me botën kapitaliste, dmth perëndimore. Prandaj, u detyrua që sikur Perandoria Osmane në shekullin XIX dhe në fillimshekullin XX, kur u shpartallua, si dhe u detyrua që të tërhiqet nga Ballkani dhe nga trojet shqiptare.
Me tërheqjen e Turqisë nga këto treva, që u realizua me aleancën e shteteve ballkanike: Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë gjatë vjeshtës së vitit 1912, që në histori njihet si Lufta e Parë Ballkanike u realizua pushtimi sllavo-grek i trojeve tona stërgjyshore dhe spastrimi etnik i qindra fshatrave shqiptare. Kjo luftë, formalisht ose "de jure" hyri, pra, u regjistrua në histori si luftë kundër Perandorisë Osmane, por faktikisht ajo ishte aleancë e shteteve ballkanike kundër shqiptarve.
Kështu, trojet shqiptare u pushtuan dhe popullata shqiptare u masakrua, dhe ata që mbetën gjallë u dëbuan në Turqi dhe në shtetet arabe në Lindjen e Mesme e gjithandej nëpër botë, shtëpitë e tyre u dogjën dhe pasuria e pronat u plaçkitën e u grabitën dhe u konfiskuan nga shteti. Paralelisht me dëbimin e shqiptarve nga shtëpitë dhe venbanimet e tyre, Mbretëria Serbe Kroate e Sllovene (SKS) e realizoi kolonizimin e viseve shqiptare me serbë e malazezë.
Kështu, vetëm në territorin e Serbisë sotme, shqiptarët humbën mbi 11 mijë kilometra katrorë, dmth një territor më të madh se Republika e Kosovës. Asokohe, krahas presioneve e masakrave, zbatohej me devotshmëri nga regjimi antishqiptar Elaborati i Akademikut fashist serb, Vaso Çubrilloviqit (1938), i cili u përsërit edhe në Jugosllavinë Socialiste të J. B.Titos, me represaljet e Aleksandër Rankoviqit dhe me propagandëm e hoxhallarëve të shitur e të instrumentalizuar mga regjimi antishqiptar.
Por, meqë Shqipëria me gjysmën dhe Jugosllavia, ku jeton gjysma tjetër e shqiptarve, ishin pjesë e Perandorisë Sovjetike, që ishte komuniste dhe tmerrësisht antishqiptare, shqiptarët përjetuan "Ferrin e Dantes" nga ideologjia komuniste dhe lufta e klasave në Shqipëri dhe nga tërbimi racist e gjenocidal i shtetit serbojugosllav. Pra, regjimi i përdori egërsisht hoxhallarët dhe klerin mysliman, si dhe komunistët e aparatçikët serbojugosllav për realizimin e planeve dhe projekteve e elaborateve famëkeqe antishqiptare. Egërsimi dhe tërbimi antishqiptar i regjimit serb mori hov edhe më të madh me ardhjen e fashistit Sllobodan Millosheviq në krye të Serbisë në fillim të viteve të 90-ta të shekullit XX. Ndërkaq, vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, realisht ishin vite të ndryshimeve të mëdha.
Kushtimisht, shekullin e XX e karakterizojnë kryesisht tri ngjarje kapitale: Lufta e parë Botërore (1914-1918), para të cilës u shpartallua Perandoria Osmane në Ballkan (1912), si dhe gjatë të cilës lindi Perandoria Socialste Sovjetike (BRSS) me Revolucionin e Tetorit (1917) dhe pasoi rudhja drastike, ose përgjysmimi i trojeve shqiptare në Ballkan, Lufta e Dytë Botërore (1939-1945), që solli rënien e nazifashizmit gjerman dhe të fashizmit italian, si dhe rënien e Shqipërisë dhe të Jugosllavisë nën Perandorinë socialiste dhe ideologjinë bolshevike e komuniste, dhe Vitet e 90-ta të shekullit XX sollën rënien e Perandorisë Sovjetike të BRSS-së, që solli rënien zinxhirore të regjimeve komuniste në Europë dhe në Ballkan, që solli shpërbërje e BRSS-së dhe të Jugosllavisë. Sa i përket kësaj periudhe të fundit, ajo solli edhe fundin e të së ashtuquajturës "Perdes së hekurt" dhe Luftës së ftohtë midis dy blloqeve politiko-ushtarake, Traktatit të Varshavës në krye me BRSS-në, që u shpërbë dhe aleancës euro-atlantike, NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pra, Perandoria pansllaviste e BRSS-së, që dominohej nga Republika sovjetike e Rusisë, ashtu si ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë që dominohej nga Serbia gjatë kësaj periudhe u shpërbën si shtete. Por, rolin e ish BRSS-së në Ballkan dhe në politikën ndërkombëtare e trashëgoi Rusia.
Prandaj, me ardhjen e Vlladimir Putinit në krye të saj, Rusia po përpiqet që ta rikthej ndikimin e vet në Ballkan sidomos nëpërmes Serbisë dhe serbëve në Kroaci, Bosne dhe në Kosovë. Prandaj, agjenturat ruse dhe serbe janë shumë aktive në rajon. Hapja e të së ashtuquajturës Agjenci humanitare ruse në Nish në fillim të vitit 2017, solli kundërshtime të fuqishme nga administrata e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, meqë u cilësua si "Qendër Ruse e Spiunazhit", që po manifestohet me kalimin e shpeshtë ilegal të kufirit Kosovë -Serbi, disa prej të cilëve janë zënë nga Policia e Kosovës.
Por, shumica prej tyre janë liruar nga gjykatat e brishta kosovare me gjoba qesharake mandatore dhe janë dëbuar. Natyrisht, numri i agjentëve dhe spiunëve rus është tejet i madh.
Derisa këtyre agjentëve e spiunëve rusë u nevoitet për ta kaluar kufirin për realizimin e qëllimeve dhe detyrave tejet të rrezikëshme antishqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, ata veprojnë pa kurrëfarë pengesash në Luginë të Preshevës, si në bahçe të babës.
Si veprojnë agjenturat dhe spiunët rusë e serbë në Luginë të Preshevës? Kjo temë është tepër e gjërë dhe voluminoze dhe këtë artikull timin do e bënte të stërzgjatur dhe druaj se edhe lexuesit e nderuar më të interesuar dhe më të duruar do i ngarkonte tepër dhe, mbase do i "gozhdonte" së lexuari. Prandaj, tani i elaborova vetëm në "via të trasha", si "hyrje" në këtë problematikë, kurse në të ardhmen do i përpunojmë më detajisht dhe me të dhëna e detaje dhe me faktografi e dëshmi të shumta e konkrete nga jeta dhe veprimtaria politike, kulturore, fetare e kombëtare e shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Shkruar nga: Nehat Hyseni-Preshevë