Abazi: Fati i keq mbetja e popullatës shqiptare të Kosovës Lindore nën Serbi
Lokale

Abazi: Fati i keq mbetja e popullatës shqiptare të Kosovës Lindore nën Serbi

21.Oct.2022 12:42
0

Deputeti i LVV-së, Haki Abazi, e ka quajtur gënjeshtër një draft-dokument të publikuar nga disa media të enjten, në të cilin thuhet se është dokument i punuar nga ekspertët gjermanë për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

“Nuk ka propozim gjerman, sepse ka vetëm një propozim dhe ai është Asociacioni bazuar në të drejtën e lirisë së asociimit sipas ligjit të Republikës së Kosovës. Nuk do të ketë pushtet të tretë në Kosovë, nuk ka ‘Zajednicë’, nuk ka të drejta ekzekutive që derivohen nga pushteti qendror ose pushteti lokal, tek asociacionet e organizimet që mund të paraqesin pushtet të tretë, sepse kjo është e ndaluar në Republikën e Kosovës”, ka thënë Abazi sot në konferencën e përjavshme, që po e mban çdo të premte në lidhje me zhvillimet në vend.

Në konferencën e sotme, përveç Asociacionit, Abazi ka folur edhe për reformën zgjedhore, shkatërrimet mjedisore në Bjeshkën e Belegut dhe regjistrimin e popullatës në Luginën e Preshevës.

Shkrimi i plotë i Abazit për konferencën e sotme:

I. Reforma zgjedhMë 1 korrik Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin ad hoc për Reformë Zgjedhore dhe vetëm para 2 jave ka filluar punën ky komision. Ky proces është stërzgjatur me vite të tëra në mungesë të vullnetit politik, për t'i adresuar edhe aspektet e mangësive teknike, por edhe ato përmbajtjesore, me qëllim të manipulimit më të lehtë të votës qytetare, rrjedhimisht demokracisë në përgjithësi.

Prandaj, po ju thërras të gjithëve, ekspertët, juristët posaçërisht, shoqërinë civile, mediat, që ta përcillni e të merrni pjesë në këtë proces vital për demokracinë tonë. Nuk ka asnjë arsye të vetme që ky proces të mos rezultojë me një ligj, i cili përveçse garanton vullnetin qytetarë, mundëson që ky vullnet të paraqitet në rezultatin e fundit të zgjedhjeve të institucioneve të vendit. Ai që kemi sot, lejon deformimin e plotë të vullnetit qytetarë sidomos për shkak të mungesës së mekanizmave të vërtetimit të votës dhe ndërlidhjes të saj me kandidatin.

Masakrimi i votës qytetare ndodhë në momentin e numërimit. Në momentin kur fletëvotimet ndahen sipas partive politike, dhe në ato të pavlefshme. Pas këtij momenti, komisionarët dhe vëzhguesit janë ata që vendosin se kujt i shkon vota, duke favorizuar kandidatët që përzgjedhë partia apo kandidatët me xhepat e thellë, që do të thotë, që në fund, një numër i madh i votës, përfundon te kandidatët, të cilëve ju lexohet emri gjatë numërimit, dhe jo kandidatëve për të të cilët kanë votuar qytetarët.

Problematika tjetër ka të bëjë me përfaqësimin e të gjitha rajoneve të Kosovës. Si rezultat i të qenit një zonë zgjedhore, një pjesë e rajoneve dhe e qytetarëve mbetet e pa përfaqësuar. Duhet të mendohet shumë seriozisht ndarja në së paku 5 zona elektorale dhe përfshirja e të drejtës së diasporës për përfaqësim.

E dyta, duhet të insistohet që nga zgjedhjet e ardhshme, sistemi zgjedhor të digjitalizohet plotësisht. Nuk ka asnjë arsye që të mos ekziston aplikacioni për zgjedhjet, ku çdo qytetarë, me numrin e identitetit të vetë, dhe me shenjën e gishtërinjve mund t'i qaset fletëvotimit elektronik, të përzgjedhë kandidatin dhe subjektin politik, dhe të dërgojë votën në mënyrë automatike, pa ndërhyrje të komisionarëve të paguar, apo ndikuesve që qëndrojnë rreth qendrave të vendvotimeve. Nëse vihet në dyshim ky sistem, që duhet të funksionoj një ditë të vetme për katër vite, atëherë do të duhej, t'i vejmë në pikëpyetje sistemet elektronike, që për çdo ditë mbajnë informacionet dhe rregullojnë jetën tonë, përfshirë edhe informacionet konfidenciale e personale.

Ligji zgjedhor në mënyrë strikte duhet të parasheh edhe procedurat se si bëhet përzgjedhja e kandidatëve për deputetë përbrenda partive politike, duke mos lejuar që të ketë deformim të vullnetit të anëtarësisë nga grupe të cilat preferojnë servilitetin, kundrejt zërit dhe artikulimit të interesave qytetare. Demokracia e brendshme në partitë politike dhe gara mbi idetë dhe vizionet duhet t'a mbizotëroj listimin e emrave të përveçëm që mund të vije si rezultat i paragjykimit të lojalitetit të kandidatit. Me lista të mbyllura apo lista të hapura para qytetarëve duhet të dalin kandidatët që kanë vlera dhe integritet, dhe jo të dëgjueshmit e partive.

E fundit, për sot, sepse ky është një proces i gjatë, konsideroj që presidenti i vendit, duhet me patjetër të zgjidhet me votë direkte qytetare. Vendit nuk i duhet President i kompromiseve në Parlamentin e Kosovës, të cilat për katër vite mbajnë peng raportet dhe konstalacionin ndërpartiak. Ne duhet të kemi President që vërtetë përfaqëson unitetin e kombit dhe me këtë gjë nuk duhet të kemi asnjë lloj loje sepse e dëmton seriozitetin e respektimit të Kushtetutës së vendit. Edhe njëherë, ju lutem të gjithëve që të kemi fokusin dhe përkushtimin maksimal, që këtë proces dhe këtë ligj ta bëjmë garantues të demokracisë, përfaqësimit dhe pasqyrimit real të vullnetit qytetar.

II. ''Propozimi gjerman'' për Asociacionin

Ashtu siç edhe e shkruajmë zakonisht, duke e vendosur në thonjëza, e ne e dijmë mirë që kur vendoset diçka në thonjëza është gënjeshtër, apo thënë më butë një e pavërtetë. Që do të thotë, nuk ka propozim gjerman sepse ka vetëm një propozim dhe ai është Asociacioni bazuar në të drejtën e lirisë së asociimit sipas ligjit të Republikës së Kosovës. Nuk do të ketë pushtet të tretë në Kosovë, nuk ka Zajednicë, nuk ka të drejta ekzekutive që derivohen nga pushteti qendror apo pushteti lokal, tek asociacionet e organizimet që mund të paraqesin pushtet të tretë sepse kjo është e ndaluar në Republikën e Kosovës.

Nëse dikur ka qenë e paparanueshme, për faktin se kemi mbrojtur kushtetutshmërinë, sot është edhe më e papranueshme sepse kjo kërkohet nga një shtet që ka bërë gjenocidin ndaj të tjerëve, vazhdon të përkrah sot gjenocidin që po bëhet ndaj të tjerëve, dhe kërkon të drejta jashtëkushtetuese për një grup etnik që përbën më pak se 5% të popullatës, dhe ndërkohë ka të drejtat më të mëdha që ndonjë grup etnik në kontinentin e Evropës.

Nuk ka asnjë kuptim që të bëhet presion mbi Kosovën dhe nuk ka asnjë kuptim që Kosova rë vendoset në peshoren e marrëveshjeve demokratike, kur kemi të bëjmë me një shtet që ka bërë gjenocidin dhe përkrah gjenocidin. Komunat serbe kanë të drejtën që të bëjnë asociacionin e tyre bazuar mbi ligjet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. dhe kjo gjë duhet të përkrahet nga të gjithë. Pyetja është çfarë ju duhet një izolim i tillë në vija etnike përbrenda një asociacioni të tillë?! Por, në asnjë formë nuk duhet lejuar që fokusi i procesit të largohet nga detyrimi që Serbia ka për ta njohur Kosovën, detyrim ky që vie nga domosdoshmëria për të parë një Serbi tjetër, nga ajo se çfarë ka qenë dhe vazhdon të jetë sot. Ndryshe, asnjë propozim, pavarësisht se nga vjen dhe si e ka emrin, nuk mund t'a ndryshojë kursin e Kosovës për të qenë shtet demokratik, që garanton të drejtat e secilit individ në bazë të kushtetutës dhe ligjit.

III. Shkatërrimet mjedisore në Bjeshkën e Belegut

Si kudo, ku bëhen punë publike, shkel e shko e pa standarde, ku nuk aplikohet asnjë masë mbrojtëse për biodiversitetin dhe natyrën, prehen drunjtë shumëvjeçar pa asnjë dhimbje e kujdes, edhe në Bjeshkët e Belegut në lartësinë mbidetare 1800m, në linjë e Majave më të larta të Ballkanit, në emër të hapjes së rrugëve, po bëhet shkatërrimi i kodrave dhe po ndodhë rrëshqitja e dheut, duke prishur natyrën, dhe rrjedhimisht duke e bërë të pamundur zhvillimin e turizmit malor. Për dallim nga të gjitha vendet e rajonit, turistët rekomandojnë të mënjanohet Kosova gjatë vizitave të tyre nëpër shtigjet malore të Ballkanit. Kjo duhet të adresohet në mënyrë urgjente dhe të gjithë ata punonjës në administratën publike dhe agjencitë e panumërta që kemi, duhet të u jepet mundësia që së paku të bëhen inspektorë me zell, që të përcjellin dhe inspektojnë kryerjen e punëve, standardet e përshkruara në projektet dhe dinamikën kohore të zbatimit të tyre. Vetëm kështu do të arrijmë që të mos kemi pyje të prera, kodra të shkatërruara, trotuare të prishura dhe punë të pakryera në vendet publike të cilat bëhen vende të rrezikshme për qytetarët.

IV. Regjistrimi i popullatës në Luginën e Preshevës

Kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në përfundim të regjistrimit të popullatës në Serbi. Fati i keq ka dashur që një pjesë e mirë e popullatës shqiptare të Kosovës Lindore të mbetet nën Serbi. Por, ky nuk është fundi. Andaj, çdo njeri kudo që është, duhet ta marrë mundin që të regjistrohet në këtë proces. Nëse Serbia mobilizon resurse që të sjellë nënat shtatzëna të lindin në spitalet e Mitrovicës dhe komunave veriore, për ta rritur përqindjen e popullatës serbe në Kosovë, atëherë do të duhej të ishte e lehtë që çdo qytetarë shqiptar i Luginës së Preshevës, ta bëjë atë që duhet ta bëjë, të regjistrohet në vendin e të parëve, aty ku kanë jetuar përgjithmonë.

Ju faleminderit!

Krejt çka tha Vuçiq në konferencën e jashtëzakonshme per media, Propozimi franko-gjerman
Procesi i Berlinit arrin pajtimin: Lëvizje e lirë në Ballkanin Perëndimor, studim dhe punësim në 6 shtete
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration