Lokale
Zyrtare: Zgjerohet koalicioni në Bujanoc
Koalicionit për qeverisje me Komunën e Bujanocit iu bashkuan edhe dy këshilltarë të Partisë Përparimtare Serbe (PPS) dhe tani ky koalicion qeverisës numëron 23 këshilltarë nga 41 gjithësejt.
Njoftimin për zyrtarizmin e marrëveshjes, për agjencinë FoNet e ka bërë Nenad Mitroviq drejtues i këshillit të Partisë Përparimtare Serbe në Bujanoc.
Titulli.com ishte mediumi i parë që raportoi për arritjen e marrëveshjes për zgjerim të koalicionit, ndërsa pritej vetëm zyrtarizmi i këtij koalicioni që edhe ndodhi sot.
Në këto bisedime kanë qenë të përfshira partitë serbe që janë në koalicion me Partinë Demokratike të Nagip Arifit.
Partia Përparimtare Serbe e kryetarit Tomisllav Nikolliqit do të ushtrojë katër poste në qeverisjen lokale të Bujanocit: Ndihmësin për çështje ekonomike, një përfaqësues në Agjencinë për Zhvillim Lokal, një anëtar të Këshillit Komunal dhe postin e drejtorit të një çerdhe të fëmijëve.
Këto poste partisë së Tomisllav Nikolliqit iu ndanë nga hisja e partive tjera serbe që janë në koalicion qeverisës.
“Në këto bisedime nuk ka qenë e përfshirë edhe Partia Demokratike e Nagip Arifit, dhe se postet e ndara për PPS-në janë nga 40 për qindëshi i partive serbe dhe se këtij subjekti serb nuk i është dhënë asnjë post nga 60 për qindëshi që i takon shqiptarëve”, tha për Titullin përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Nexhat Behluli.
Kuvendi Komunal në Bujanoc ka gjithsejtë 41 këshilltarë, prej të cilëve tani 23 janë të koalicionit qeverisës: Partia Demokratike e Nagip Arifit 12 këshilltarë, GQ “Stojanca Arsiq” 5 këshilltarë, “Koalicioni për Bujanocin” 4 këshilltarë (tre të PD-së së Boris Tadiqit dhe një i PSS-së së Ivica Daciqit) dhe Partia Përparimtare Serbe e Tomisllav Nikolliqit 2 këshilltarë.
Në opozitë janë gjithsejtë 18 këshilltarë: Koalicioni paszgjedhor shqiptarë ka 17 këshilltarë (PVD 8 këshilltarë, LPD 6 dhe UDSH 3 këshilltarë), dhe një këshilltarë nga Partia Demokratike Shqiptare – Sali Salihu, i cili ka lëshuar koalicionin pasgjedhor të opozitës shqiptare./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!