Lokale
Zhunica shtron iftar për nder të bashkatdhetarëve (foto)
Kryesia e Bashkësisë Lokale (BL) Zhunicë mbrëmë ka organizuar iftar për bashkatdhetarët që jetojnë në Evropën Perëndimore. Iftarin e kanë mbështetur financiarisht afaristët nga kjo Bashkësi Lokale.
Rreth 300 qytetarë të BL Zhunicë të komunës së Preshevës, mërgimtarë, mysafirë të jetës politike e shoqërore, përfaqësues të Këshillit të BIK për Preshevë e Bujanoc, si dhe përfaqësues të të gjitha xhamive të Luginës së Preshevës morën pjesë në iftarin e mbrëmshëm.
Atyre fillimisht iu është drejtuar imami xhamisë së fshatit Zhunicë Mumin Tahiri. Ai foli për rëndësinë e këtij iftari duke falënderuar kryesinë e BL të udhëhequr nga kryetari Selajdin Mustafa për këtë iniciativë.
Imami Tahiri tha se vepra dhe puna e mirë në këtë jetë do t’iu shpaguhet atyre me shpërblim në jetën tjetër. Për Tahirin ky tubim ka rëndësinë e veçantë pasi që ka bërë së bashku mërgimtarët me bashkëvendësit e tyre në mënyrë që mos ta harrojnë njëri tjetrin, raporton Titulli.
Në këtë iftar morën pjesë edhe udhëheqësit e pushtetit lokal të Preshevës dhe Bujanocit.
Kryetari komunës së Preshevës Ragmi Mustafa ka uruar besimtarët islam për muajin e bekuar të Ramazanit, kurse mërgimtarët e BL Zhunicë i ka falënderuar për mbështetjen financiare që bëjnë për vendlindjen e tyre.
Ai ka përmendur një numër të projekteve të realizuara me bashkëfinancim në mes të fshatit Zhunicë dhe komunës së Preshevës. Mustafa bëri të ditur se mjetet e BL janë siguruar kryesisht nga fondi i mërgimtarëve për vendlindje
Ndërsa, për ta begatuar këtë mbrëmje kori i xhamisë së fshatit Zhunicë, kënduan edhe disa ilahi. Iftarit të organizuar i ka paraprirë qylymja tradicionale që mbahet çdo vit nga Bashkësia Lokale e fshatit Zhunicë.
BL e fshatit Zhunicë, çdo pushime veror , tradicionalisht shtron darkë të përbashkët për bashkatdhetarët që jetojnë në Evropën Perëndimore.
Darka të tilla mbahet rregullisht 10 vitet e fundit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!