Lokale
Tomas Mur: Për stabilitetin e Bujanocit duhet qeverisje multietnike
Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, priti sot një delegacion të OSBE-së të kryesuar nga zv.Ambasadori i OSBE-së në Beograd Tomas Mur, si dhe shefi i zyrave të OSBE-së në Bujanoc Erik Manton, raporton Titulli.
Në këtë takim u bisedua për situatën politike dhe të sigurisë në komunën e Bujanocit, po ashtu edhe për rrjedhojën e seancës konstituive të Kuvendit.
Pas takimit Arifi ka thënë se është një kënaqësi e veçantë të takohesh me Ambasadorin e OSBE-së dy ditë pas marrjes së detyrës, po ashtu ai ka thënë se temë kryesore ishte situata politike dhe e sigurisë të komunës së Bujanocit.
“Biseduam për situatën politike dhe të sigurisë të komunën e Bujanocit, po ashtu biseduam edhe për rrjedhojën e seancës konstituive të kuvendit, dhe ishte një kënaqësi e posaçme sepse për herë të parë një zyrtar i lartë pas marrjes së detyrës së kryetarit të komunës, menjëherë na bëri një vizitë”, thotë Arifi.
Ndërsa zv.Ambasadori i OSBE-së në Beograd Tomas Mur, deklaroi se Bujanoci është një qytet multietnik, prandaj kjo ka qenë rruga e duhur që komunën e Bujanocit ta qeverisin së bashku partitë shqiptare me ato serbe.
“Kisha kënaqësi të takohem me kryetarin Arifi, dhe e përgëzova për formimin e qeverisjes lokale me Stojança Arsiq. Bujanoci është bashkësi multietnike dhe është e rëndësishme për stabilitetin që të ketë një qeverisje lokale multietnike”, tha Mur.
Sipas tij është biseduar me Arifin edhe për hapat e mëtutjeshëm në lidhje me fakultetin ekonomik për vitin e ardhshëm dhe suksesin që kemi arritur më herët duhet ta vazhdojmë më tutje, përfundoi Mur.
Pas këtij takimi Arifi në zyrat e tij ka pritur edhe drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Bujanocit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!