Lokale
Shqiptarëve të Bujanocit po i merret nënshtetësia
Ministria serbe e Punëve të Brendshme në mënyrë të njëanshme po ua merr nënshtetësitë shqiptarëve të Bujanocit të cilët përkohësisht punojnë dhe qëndrojnë në Kosovë ose në diasporë. Ky veprim i sinkronizuar dhe i projektuar nga Beogradi po bëhet qëllimisht që ta zvogëlojë numri e shqiptarëve rezidentë në këtë komunë e cila ka disa vite që administrohet nga shqiptarët.
Kjo çështje ka shqetësuar faktorin politik në Luginën e Preshevës, por edhe opozitën në Kosovë, të cilët kanë njoftuar përfaqësuesit e ambasadave të akredituara në Beograd për tendencën serbe, shkruan “Zëri”.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu, ka thënë se marrja e njëanshme e nënshtetësisë së shqiptarëve të Bujanocit bëhet me lejen e qeverisë së Beogradit e po ashtu edhe të shefit të Policisë serbe në Bujanoc. Qëllimi kryesor, sipas tij, është që ta zvogëlojnë numrin e shqiptarëve dhe se kjo po bëhet për t’i treguar faktorit ndërkombëtar që serbët në Bujanoc janë shumicë.
“Një gjë e tillë është parë qartë në zgjedhjet tradicionale pas vitit 2000 që shqiptarët janë shumicë në Bujanoc. Heqja e nënshtetësisë njëanshëm është diskriminim, është dhunë është terror kjo është shpërngulje. Në të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që janë bërë kanë pasur për qëllim zgjidhjen e problemit të shqiptarëve”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, kjo po bëhet me pretekstin se shqiptarët e Bujanocit kanë nënshtetësi të Kosovës dhe ata automatikisht po shlyhen nga kompjuteri i zyrës civile në Bujanoc. Ai ka thënë se kjo nuk ndalet vetëm me shqiptarët që janë në Kosovë, por edhe ata që janë në Gjermani e Amerikë, pra në shtetet tjera jashtë Serbisë.
“Heqja e nënshtetësisë parashihet edhe në kushtetutën e Serbisë, mirëpo atë nuk guxon askush në mënyrë të njëanshme ta bëjë. Por, Qeveria serbe dhe Policia në Bujanoc nuk mërziten shumë për këtë që thotë kushtetuta prandaj e shkelin si të duan”, ka thënë Musliu. /Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!