Selimi: Qeveria e Shqipërisë po manipulon me pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës
Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po e përdor bashkimin e Preshevës, Bujanovit e Medvegjës me Kosovën si karrem për ndarjen e Kosovës.
“Thaçi po përpiqet të manipulojë dhe jo ta zgjidh çështjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Përmendja e bashkimit nuk është asgjë tjetër veçse karrem për ta hapur një çështje që ka të bëjë me ndarjen e Kosovës”, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
“Flitet për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanoci, por në të njëjtën kohë flitet edhe për idenë për shkëmbim territoresh. Është e papranueshme diçka që është edhe e rrezikshme. Në ndërkohë deri më tani, pavarësisht kontakteve të Presidencës dhe Qeverisë me përfaqësues të Preshevës asnjë marrëveshje nuk ekziston, as për Rezolutën për të cilën po flasim”, ka thënë ai.
Selimi ka thënë se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet të bashkohen “me një Kosovë të bashkuar dhe jo me një Kosovë që paguan çmimin e ndarjes”.
“Fondament për zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës do të duhej të ishte Referendumi i vitit 1992”, ka thënë ai dhe ka akuzuar edhe qeverinë e Shqipërisë për manipulim me pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Një çështje shumë e rëndësishme, e pazgjidhur dhe e manipulueshme nga faktorët qeveritarë në Kosovë dhe në Shqipëri, mbetet gjendja e shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc”, është shprehur ai.
sipas tij nuk ka dhënë mendim për Platformën e Dialogut me Serbinë, e cila u procedua në Kuvend për miratim dhe se ende nuk e di përmbajtjen e platformës.