Përmbyllet fushata parazgjedhore në Luginë, kryesisht e qetë
Në rajonin e Luginës së Preshevës është përmbyllur fushata parazgjedhore për zgjedhjet e këshillave nacionale që do të mbahen më 26 tetor në gjithë territorin e Serbisë.
Shqiptarët në këto zgjedhje garojnë me 5 lista zgjedhore, tre të subjekteve politike “Partia Demokratike-Dr.Sc. Nagip Arifi”, “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar”, “Koalicioni për të Drejtat e Shqiptarëve”, shoqeria civile lista “Për Ardhmërinë e Shqiptarëve në Serbi-Sevdail Hyseni” dhe Grupi Qytetar “Nagip Taipi”.
Atmosfera gjatë fushatës parazgjedhore ishte në përgjithësi e qetë, përveç disa deklaratave me tension mes subjekteve politike që veprojnë këtu.
Nga ora 12 e mesnatës (dita e premte) fillon heshtja parazgjedhore dhe zgjatë deri në mbylljen e votimeve në orën 20, ndërsa vendvotimet do të hapen nga ora 7 e mengjesit më 26 tetor.
Gjatë kësaj kohe është e ndaluar fushata parazgjedhore përmes mjeteve të informimit, mbajtja e tubimeve publike dhe publikimit të vlerësimeve të rezultatit paraprak.
Këshilli Kombëtar Shqiptar është formuar në korrik të vitit 2010 dhe aktivitetin e tij e shtrinë në fushën e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit të gjuhës shqipe e shkrimit të saj dhe përdorimit të simboleve kombëtare.
Ky institucion i pakicës shqiptare në Serbi ka një rëndësi të madhe për realizmin e të drejtave shqiptare në fushat e caktuara dhe kuvendi i përgjithshëm do të përbëhet prej 15 anëtarëve ku pastaj do të emërojnë struktura udhëheqëse./Titulli.com/