Pse politika lokale nuk mori pjesë në përkujtimin e heqjes së lapidarit në Preshevë?
Përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në gjashtë vjetorin e heqjes së Lapidarit të njëzet e tetë Dëshmorëve të Kombit, tek vendi i lapidarit kanë bërë homazhe, me ç`rast kanë vendos kurora me lule si dhe një Flamur Kombëtarë.
Dëshmorët janë gurë themel i lirisë së kombit shqiptarë, ka thënë Nazmi Hajredini, kryetar i OVL të UÇPMB-së dhe ka thënë se është optimist se dita kur lapidari do të rikthehet është shumë afër kur edhe Lugina e Preshevës do t`i bashkëngjitet Kosovës.
Arif Abazi, babai i dëshmorit Artan Abazi ishte kritik për mos prezencë të autoriteteve lokale në këtë ditë të rëndësishme duke shtuar se patriotët folklorik e kanë dërguar në policinë e Vrajës, transmeton Titulli.com.
Për veteranin e luftës, Vllaznim Behluli, vendi i lapidarit është këtu dhe asnjë herë nuk do të hiqet dorë nga kërkesa për kthim të tij në këtë vend.
Të dielën e 20 janar të 2013, qindra efektiv të xhandarmërisë serbe, në mënyrë të dhunshme e hoqën lapidarin e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrive Çlirimtare, nën pretekstin se i njëjti ishte vendosur ilegalisht, përkundër amnistisë që parlamenti serb e kishte bërë për të gjithë pjesëtarët e UÇPMB-së, pas Marrëveshjes së Konçulit e cila fatkeqësisht asnjëherë nuk u zbatua./Titulli.com/