Promovohen dy librat e autorit Nexhat Sadullahu (Foto)
Në sallën përplot të interesuarish, të shtunën në Bujanoc u bë promovimi i dy librave të autorit Nexhat Sadullahut, arsimtarit dhe poetit të lindur në fshatin Turi të Bujanocit, i cili prej vitesh jeton në Fushë Kosovë.Dy librat që u promovuan e që ngjallen interes të madh nga publiku ishin “Gjenealogjia e Gashëve nga Tërnoci, Turia dhe Samolica” dhe poemën satirike me titull “Xhema i abës Ajshe”.
Për krijimin e këtyre dy veprave që u promovuan sot në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, autori Sadullahu në mënyra të ndryshme është ndihmuar nga bashkëpunëtorët
Doktor i gazetarisë Ferid Selimi, i cili është redaktor i të dyja veprave ka vlerësuar lartë para të pranishmëve veprat e autorit Nexhat Sadullahut.
Recensent i librit “Gjenealogjia e Gashëve nga Tërnoci, Turia dhe Samolica” është doktori i parë i arkivistikës në Kosovë, profesori Jusuf Osmani. Në pamundësi që të ishte sot i pranishëm, fjalën e recensentit e ka lexuar për të pranishmit gazetari Valon Gashi, i cili gjithashtu është pjesëtar i fisit Gash nga Turia, dhe njëherit ka ndihmuar botimin e këtij libri me fotografi dhe kontribute tjera, siç ishte edhe organizimi i promovimit.
Sipas autorit Nexhat Sadullahu, libri “Gjenealogjia e Gashëve nga Tërnoci, Turia dhe Samolica” është interes për shkencën dhe historinë, por edhe njohuri e duhur që bashkëvendësit të njihen me të kaluarën dhe rrjedhat e veta gjenealogjike. Sadullahu ka falënderuar të gjithë për ndihmën që i kanë dhënë si nga Tërnoci, Turia, Samolica e nga shqiptarët e Turqisë.
Bashkangjitur me këtë libër është edhe i vizatuar trungu familjar i fisit Gash prej se kanë ardhur në fshatin Tërnoc, në fund të shekullit XVII e deri më sot.
Nexhat Sadullahu, në krijimin e librit “Gjenealogjia e Gashëve nga Tërnoci, Turia dhe Samolica” ka punuar tre vite, ka hulumtuar arkiva nga më të ndryshmet, literaturë të autorëve të ndryshëm, jo vetëm shqiptarë, ka vizituar dhe ka biseduar me familjet e Gashëve nga Tërnoci, Turia, Samolica e deri në Inegjol, Bursë e Stamboll të Turqisë.
Ndërsa poema satirike “Xhema i abës Ajshe” është një ecejake që autori i bën një personi, të cilin e ka emërtuar Xhemë, e ai mund të jetë secili individ i shoqërisë sonë.
Një individ, i cili mundohet të rraset kudo dhe kurdo pa trokitur në asnjë derë, e duke u paraqitur si i gjithëdijshëm, siç po paraqiten shumë njerëz në kohën e sotme, por që asnjërës nga detyrat që merr nuk i vë pikën.
Në promovimin e dy librave morën pjesë përfaqësues të administratës komunale dhe qëndrore, intelektual e qytetarë nga komuna e Bujanocit.
Prejardhja e Gashëve në Tërrnoc dhe Turi (pjesë nga libri)
“Unë, Isuf Selim Habibi i lindur në Turi më 1898 dhe Rexhep Raqip Rexhepi, i lindur në Turi më 1892 për mos me na humb rrënja po e lëmë këtë dokument. Ne në Brusë kemi ardhur prej katundit Turi afër Bujanocit. Të parët tanë kishin ardhur prej Novobërdës. Më parë ishin vendosur në Budrigë e pastaj në Tërrnoc. Të parët tanë kishin qenë dy vëllezër e një motër. Me fe kishin qenë katolik. Emrat i kishin pasur Llukë, Pal dhe Marta. Në Budrigë e marrin fenë islame dhe i ndërrojnë emrat. Lluka emërtohet Llukman, Pali emërtohet Ukë, dhe Marta emërtohet Mejreme. Ata kishin ardhur nga viti 1687. Në Budrigë e martojnë motrën Mejremen, por mbas një muaji e ndajnë, sepse burri i saj Isufi dhe familja e tij nuk ishin islamizuar plotësisht. Pasi bien në bela me ta, shpërngulen dhe vijnë në Tërrnoc. Isufi thonë se më vonë paska bërë vetëvrasje përshkak të ndarjes. Kurse Mejremja kishte mbetur shtatzënë dhe e kishte lindur një djalë që vëllezërit e pagëzojnë Isuf. Llukmani e lind Aliun dhe Ilmiun. Uka Sabedinin, prej Aliut rrjedhin Faiku, Sulejmani, prej Ilmiut, Imeri, Abdullahu, Dalipi, prej Sulejmanit Fehmia, Rexhepi dhe pasardhësit e tjerë që janë në Tërrnoc. Në Tërrnoc kanë mbetur edhe djemtë e Ukës Sabedini, Jetishi, Jakupi me tre djemtë, Ukshini, Rexhepi, Fehmia me pasardhës. Mejremja e ka lënë Isufin, Isufi Shaqirin, Shaqiri Hetemin, Hetemi Avdiun, Avdiu Fazliun me pasardhës. Fisi jonë është Gash. Këto shënime i kemi trashëguar prej mulla Dalipit, që i kishte pas ruajtur me një letër, sepse ai baba Dalip kishte qenë Hoxhë. Atë letër ne po e përtërijmë.
Isuf Selim Habibi, Bursa 1938.
Rexhep Raqip Rexhepi, Bursa 1938”.
Ky dokument është marrë në Inigjol të Turqisë në gjuhen turke e më pastaj i përkthyer në shqip.
/Titulli.com/