Lokale
Përfaqësuesit e Luginës takohen me presidentin e Shqipërisë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot pasdite një delegacion nga Lugina e Preshevës, i përbërë nga Kryetari i Komunës Preshevë, Ragmi Mustafa, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi dhe kryetarin e Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliun.
Gjatë takimit u bisedua për çështjet që shqetësojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, me fokus të veçantë, statusi i shqiptarëve të Luginës, çështjet ekonomike, të sigurisë, arsimit dhe kulturës.
Presidenti Nishani i garantoi përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës se Shqipëria do t’i kushtojë vëmendjen e duhur zgjidhjes së problemeve të parashtruara prej tyre dhe kërkoi që liderët e Luginës të vazhdojnë dialogun politik dhe rrugën institucionale për realizimin e kërkesave të shqiptarëve që jetojnë atje.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se garantimi i sigurisë dhe rritja e investimeve janë faktorët bazë për ekzistencën e faktorit shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe se për këtë duhet të punohet me plan dhe projekte konkrete.
Gjatë qëndrimit në Tiranë delegacioni takoi edhe disa nga studentët e Luginës që studiojnë në Universitetin e Tiranës me të cilët biseduan për kushtet e studimeve dhe mënyrën se si do të munden të ndihmohen me stimulime nga komuna e Bujanocit dhe Preshevës në mënyrë që të tregojnë rezultate të shkëlqyeshme në Universitetin e Tiranës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!