PDSH: Presheva në momentum historik, të mos lejohet organi i përkohshëm nga Beogradi?
Partia Demokratike Shqiptare në Preshevë përmes një deklarate për media ka njoftuar për situatën e krijuar në kuvendin komunal të Preshevës duke vlerësuar se nuk duhet lejuar që Qeveria e Republikës së Serbisë të instalojë organ të përkohshëm.
Deklaratë e Partisë Demokratike Shqiptare:
Situata e krijuar politike dhe institucionale në pushtetin lokal të Komunës së Preshevës, për Partinë Demokratike Shqiptare ka qenë e pritshme, ku tashmë një kohë të gjatë institucionet e dalura nga ky pushtet lokal janë venitur, madje disa edhe mbyllur tërësisht, si rezultat i politikave dështuese të qeverisjes aktuale. Institucione që nuk u dhanë raporte e llogaridhënie qytetarëve për dy vite me radhë.
Gjatë javës që lam pas, qeverisja e këtij pushteti lokal mbeti pa shumicë në Kuvendin Komunal, ku e zhgënjyer nga kjo politikë degraduese u distancua këshilltarja e Kuvendit znj. Fetanete Mehmeti, e cila tashmë është radhitur si këshilltare e pavarur e këtij Kuvendi, duke e ndërprerë bashkpunimin dhe bashkërendimin politik me Alternativën për Ndyshim ku edhe ishte deri më tani.
Partia Demokratike Shqiptare e çmon lartë guximin e treguar të këshilltarës së Kuvendit Komunal znj. Fetanete Mehmeti dhe në të njejtën kohë i bën thirrje dhe i inkurajon edhe këshilltarët tjerë nga radha e Alternativës që të distancohen nga politika degraduese, jollogaridhënëse, konfliktuoze dhe e rrënimit të sistemit të vlerave demokratike, të cilat po i aplikon kryetari i saj enigmatik.
Duke pasur parasysh se Komuna e Preshevës për dy vite e gjysëm me këtë keqqeverisje, ka stagnuar në të gjitha zhvillimet e jetës shoqërore dhe politike, është e domosdoshme që të krijohet shumicë e re qeverisëse në mënyrë që të rikthehet fillimisht demokracia në institucionin e Kuvendit Komunal , nga ku do të dalin institucionet e reja që i pret dinamikë e madhe e punëve e që do të jenē jo vetëm llogaridhënëse, por edhe në shërbim të plotë ndaj qytetarëve.
Partia Demokratike Shqiptare vlerëson se Lugina e Preshevës gjendet në momentumin e saj historik të bashkimit me Republikën e Kosovës , prandaj me humbjen e kësaj shumice qeverisëse Komunës së Preshevës i nevojitet shumicë e re që edhe përmes institucionit të Komunës të mbrohet fuqishëm e drejta për bashkim.
Kështu duke hequr dorë nga interesat e ngushta partiake e kapriciet e grupeve politike nuk duhet lejuar që Qeveria e Republikës së Serbisë të instalojë organ të përkohshëm, të shpërbëjë Kuvendin Komunal të Komunës së Preshevës e që rrjedhimisht do të ishte një goditje e fuqishme dhe pafundësisht e tmerrshme për shqiptarët në saje të vendim-marrjes në Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptar të Luginës së Preshevës në këtë fazë historike dhe udhëkryqin më kompleks e me shumë të panjohura.
Prandaj, PDSH fton të gjithë këshilltarët guximtarë, grupimet politike shqiptare atdhedashëse, pjesëmarrse në Kuvendin Komunal që të rreshtohen si gardian të vërtetë në mbrojtjen e Kuvendit Komunal Preshevë me çka do të mbrohet demokracia, Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar të Luginës së Preshevës, i cili muajve në vazhdim do të ketë rolin historik për shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Ejani, të gjithë bashkë të rindërtojmë Institucionet në nivel Lokal, duke kultivuar demokraci, guxim e dije në interes të votuesve shqiptarë në këto hapsira të katandisura nga represionet e vazhdueshme serbe dhe vazalëve të saj për sa e sa kohë pa ndalur!
Partia Demokratike Shqiptare
Preshevë, 21 Janar 2018