OKB: Në Jug të Serbisë, 50-80% e banorëve të papunë
Koordinatori i përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Serbi, William Infante, ka deklaruar se, sipas statistikave, Jugu i Serbisë i ka 60% të të ardhurave kombëtare mesatare në Serbi, që do të thotë se rrogat e qytetarëve në këtë rajon janë për 50% më të vogla në krahasim me ato që i kanë pasur në vitin 1989.
“Pyetem se si njerëzit këtu në përgjithësi mund të mbijetojnë. Kur flasim për stereotipe, i pari është se në Jugun e Serbisë janë më tepër se 50% të banorëve të papunë, ndërsa në disa komuna, kjo shifër është edhe 80%. Stereotipi i dytë është se ky rajon nuk ka infrastrukturë”, tha Infante në tribunën që u mbajt të enjten në Bujanoc me moton “Të gjithë jemi të njejtë”.
Ai mëtutje ka theksuar se “vetëm 3% të mjeteve të tërësishme, që i ka marrë Serbia nga viti 2001 e deri në vitin 2012, janë shpenzuar në Jug të Serbisë, dhe se perspektiva e vetme e këtij rajoni është hapja e vendeve të reja të punës”.
Në Komunën e Preshevës dhe Bujanocit që gjenden në Jugun e Serbisë (Luginë të Preshevës), shqiptarët janë popullatë shumicë./Titulli.com/