Nuk kemi para, por harxhojmë 9 milion euro për dasma !
Sezoni veror po afrohet, ndërsa Luginës po i kthehet buzëqeshja e dikurshme, pas një ankthi që e kishte kapluar që nga viti 2009, me liberalizimin e vizave, ku shumë qytetarë shkuan në kërkim të azilit, por jo vetëm kaq, Lugina u godit me “shuplaka” disa herë nga Serbia, përfshirë këtu arrestimet që janë bërë vazhdimisht në këtë pjesë, duke bërë që shumë të rinj të largohen pa dëshirën e tyre.22 Qershori shënon ditën e stinës së Verës, në ndërkohë në Luginë ndryshon gjithçka. Fillon një atmosferë ndryshe, fillon të rritet ritmi i jetës, kafenetë e rrugët e qyteteve mbushen për plot me njerëz, ndërsa më e rëndësishmja është se Presheva dhe Bujanoci përfitojnë edhe ekonomikisht, pasi që “vëllezërit” tanë fillojnë të kthehen për pushime nga Diaspora.
Muaji Korrik dhe Gusht nuk njihen vetëm si dy muaj kalendarik, por ato në Luginë njihen edhe si muaj të dasmave (ahengjeve), pasi që kur bashkë atdhetarët tanë vinë në pushime, e shfrytëzojnë kohën edhe për organizime të ahengjeve e dasmave, dhe pothuajse në çdo shtëpi dëgjohen ritme të muzikës e këngëve shqiptare.
Megjithatë, tradita e dasmës shqiptare në Luginë po ndryshon në vazhdimësi. Dasma e dikurshme është gërshetuar me dasmën moderne, tradita e së cilës erdhi në Luginë nga vendet perëndimore.
Zakonet e reja po i kushtojnë “xhepit” të një dasmori. Për organizimin e një dasme në Luginë, vlera sillet nga 5 mijë deri 15 mijë euro, ndërsa ka edhe dasma që kalojnë shifrën prej 15 mijë euro.Restorantet, sallonet e nusërisë, argjendarët, produksionet, tani më vetëm se kanë filluar të përgatiten për ardhjen e “vëllezërve” nga Diaspora, ku një pjesë e madhe e të cilëve tashmë kanë caktuar ditën e dasmës, kanë rezervuar restorantet dhe kanë zgjedhë muzikën e preferuar.
Dikur dasmat janë zhvilluar ne ditët e caktuara, të enjten apo të dielave, por tash ka ndryshuar pasi që më dasmat nuk bëhen nëpër shtëpi apo shatorë, por ato varen nga restorantet apo hotele se kur janë të lira.
Sa para harxhohen për dasma gjatë dy muajve në Luginë? Sipas hulumtimeve që ka bërë Titulli, në Bujanoc dhe Preshevë për 60 ditë të verës harxhohen mbi 9 milion euro, që është një shifër marramendëse.Ne kemi kontaktuar pothuajse me gjithë pronarët e restoranteve në territorin e Luginës, dhe kemi kuptuar se janë 22 restorante e hotele por pa llogaritur ambiente të tjera që janë të përshtatshëm për ahengje, dhe nëse i marrim për bazë këta restorante, atëherë është lehtë e kuptueshme se për një ditë organizohen një apo më shumë dasma për një restorant, që i bie se në një restorant organizohen rreth 40 dasma për një muaj.
Sipas pronarëve të këtyre restoranteve për 60 ditë organizohen rreth 1760 dasma. Nga kjo llogaritje del se në Luginë për dasma harxhohen 9 milion euro.
Rushit Ibrahim menaxher i restoranteve të dasmave “Breta” dhe “Breta Palace”, i cili gjendet në rrugën që shpie për fshatin Tërnoc , tha se çmimi varet nga “xhepi” i atij që organizon dasmën.Menyja për një person, sipas tij, sillet nga 10 deri në 15 euro varësisht nga kërkesa. “Ne mundohemi të kemi mirëkuptim për klientët tanë, por edhe gjendja ekonomike reflektohet dhe në dasma vërehet tek menyja”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi flet edhe për muzikën, të cilën shumicën e herëve e rezervojnë vetë pronarët e dasmës. Çmimi, siç tha ai, për këngëtarë me emër, gjatë kësaj periudhe, sillet rreth 3500 euro, kurse ata që janë më pak të popullarizuar 1000 e 1500 euro, por që konsiderohen më atraktiv sepse këndojnë “tallava”.
Sipas Ibrahimit këngëtarët që më shumë frekuentojnë nëpër dasma në restorantet e tij janë Vëllezërit Aliu, Linda Haka, Ramadan Krasniqi dhe këngëtar të tjerë. Arben Mustafa, pronar në dyqanin e nusërisë “Bushi Fashion” dhe argjendarinë “Gold” në Bujanoc, thotë se nuk është i kënaqur me shitjen, ai mendo se ka ndikuar kriza Globale në rënien e numrit të blerësve.“Në Krahasim me vitet tjera këtë vit nuk jemi të kënaqur me shitjen e fustaneve të nusërisë, mendoj që kriza ndikon direkt në “xhepin” e qytetarit”, thotë ai.
Mustafa shtonë se shumica e qytetarëve të Bujanocit shkojnë të blejnë në Kosovë, mirëpo sipas tij edhe në shitoret që ai posedon çmimet dhe modelet janë të njëjta si në Kosovë. Sipas Mustafës një fustan kushton nga 30 deri në 380 euro. Në dyqanet e tij gjatë periudhës dy mujore Korrik dhe Gusht rritet shitja për 40%.Viteve të fundit moda ka ndryshuar, nuset më nuk veshin më shumë se dy herë një fustan, pasi dasmat po organizohen në restorante dhe po ua shohin njerëzit. Megjithatë çmimi për një fustan të bardhë sillet rreth 400 euro, ndërsa i vellos prej 700-1200 euro.
Ndërkaq sa i përket arit, një komplet të burmeve, sipas Mustafës, kushton nga 150 deri në 200 euro, në varësi të modelit Moda dhe gjendja ekonomike janë dy faktor që po ashtu ndikojnë edhe në ndryshimin e traditës së blerjes së arit. Ky i fundit është ngritur dukshëm edhe në bursë ndërkombëtare. Një komplet ari i ashtuquajtur i rëndë, një komplet tjetër i ashtuquajtur i lehtë, unaza, rreth dore, varëse fyti më të lehta, vathë më të lehtë, përbënin atë që në minimum i blihej nuses dikur, e tash në maksimum për një shumicë të klientëve artarët thonë se kërkohet një komplet me çmim shumë të arsyeshëm. Ndërsa rregullimi për një nuse arrin në vlerën 70-100 varësisht nga kërkesa si dëshirojnë ta bëjë grimin dhe rregullimin e flokëve. Ndonëse nuset sot kërkojnë më shumë rregullim të thjeshtë dhe modern, por në dasmat në vendet provinciale nuset kërkojnë të rregullojnë flokët me modelet më të rënda, siç bëheshin më parë. Por, në anën tjetër dasmat nëpër restorante tani më janë bërë traditë, mirëpo organizimi i dasmave nëpër restorante dhe marrja e këngëtarit që të këndoj “live”, shfrytëzohet për të treguar dhe mburrur se sa para ka ajo familje. Familjet që jetojnë në Luginë në shumë raste për tu mos u ndarë nga shoqëria, hyjnë në borxhe vetëm për të qenë pjesë e aktualitetit të dasmave shqiptare./Titulli.com/