Lokale
Nikolliq dhe Daçiq festuan vrasjen e shqiptarëve të Kumanovës dhe Preshevës?
Krerët shtetëror serb nga qyteti i Kumanovës në veri të Maqedonisë lëshuan mesazhe ekspansioniste dhe antishqiptare me rastin e shënimit të një manifestimi për shënimin e 100 vjetorit të luftës së parë ballkanike.
Beteja e ashtuquajtur në Zebërnjak, fshatit në verilindje të Kumanovës shënohet nga Serbia si një nga ngjarjet historike të shtetit serb, me moton për largimin e perandorisë osmane nga Ballkani.
HISTORIA
Lufta e Parë Ballkanike, përderisa drejtohej kundër Perandorisë Osmane dhe kishte për qëllim bashkimin kombëtar të popujve ballkanikë, objektivisht kryente një funksion përparimtar për atë kohë.
Por ajo u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë.
Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të vendosin për fatin e tyre.
Shqiptarët dhe pse ishin të interesuar për pavarësi, ata nuk iu bashkangjitën Aleancës Ballkanike kundër perandorisë osmane, pasi krerët e Aleancës Ballkanike nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë, shkruan albeu.
Prandaj, pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, nënkuptonte përdorimin e tyre si mish për top në luftën kundër Perandorisë Osmane.
Pas pushtimit të Prishtinës ushtria serbe filloi veprime të tjera në përmasa të mëdha, të cilat kishin si objektiv të parë pushtimin e Ferizajt, të Kumanovës e të Shkupit, për të vijuar më tej marshimin drejt jugut dhe drejt pjesës perëndimore të Shqipërisë.
Beteja më e madhe e trevës së Kosovës ishte ajo e Kumanovës (22-24 tetor), ku serbët hodhën ushtrinë e Armatës së parë, të përbërë nga 126 000 veta. Ushtria osmane e Vardarit kishte vendosur në këtë front 50 000 luftëtarë. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë, përveç forcave vullnetare të ardhura nga treva e Kumanovës e rrethet e tjera.
Më 24 tetor, ushtria osmane u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, që njihet pika më strategjike e këtij regjioni, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin.
Pas kësaj periudha Serbia vazhdoi luftën për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.
Vlen të theksohet se në luftën e Kumanovës, shqiptarët luftuan kundër ushtrisë serbe duke u munduar të pengojnë marshimin e kësaj ushtrie drejt Shkupit dhe më pas edhe drejt trojeve tjera shqiptare.
Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10000 veta.
Pas pushtimit të Kumanovës, ushtria serbe gjatë dy muajve në periudhën tetor-nëntor 1912, u vranë rreth 25000 shqiptarë. Vetëm në fshtarat shqiptare mes Kumanovës dhe Shkupit u vranë rreth 3000 mijë shqiptarë.
Çdo ditë oficerët serbë organizonin ekspedita në fshatrat rreth Shkupit dhe Kumanovës për të terrorizuar dhe për të masakruar fshatarët. Mijëra njërëz të pambrojtur vinin nga Kumanova e nga Presheva, duke shpresuar të gjenin shpëtim në Shkup. Por edhe këtu i priste vdekja nga ushtarët serbë ose nga uria. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi të Shkupit dhe Kumanovës, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!